Mbi zhvillimin e takimit vjetor me subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave

Data e fillimit: 03/02/2020
Data e mbarimit 04/02/2020
Vendndodhja: Tiranë

Pershkrimi:

Në kuadër të takimeve periodike vjetore që Agjencia organizon me subjektet anëtare të skemës, në datat 3 dhe 4 shkurt 2020, Agjencia zhvilloi takimet e rradhës, me përfaqësues të të gjithë subjekteve, përkatësisht me Bankat dhe SHKK, takime të cilat edhe këtë herë shërbyen si forume teknike e profesionale për diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Në veçanti gjatë takimeve, Agjencia prezantoi zhvillimet kryesore të punës së përbashkët gjatë vitit 2019 për zbatimin e detyrimeve ligjore në lidhje me skemën e sigurimit të depozitave, si edhe u theksua rëndësia që ka për Agjencinë bashkëpunimi ndërveprues me subjektet anëtare, për zbatimin me korrektësi të kërkesave të kuadrit ligjor dhe rregullativ për sigurimin e depozitave, si element i rëndësishëm për përballimin e situatave të krizave dhe sidomos për realizimin me sukses të procesit të kompensimit.

Në fokus të diskutimeve ishte rritja e gatishmërisë së subjekteve për ngarkimin e shpejtë dhe të saktë të skedarëve për kompensim në sistemin elektronik të Agjencisë, me qëllim përgatitjen e listë pagesës me të dhënat unike të depozituesve si edhe vlerësimi i këtij procesi nga Agjencia, nëpërmjet organizimit të simulimeve teknike dhe të përgjithshme.

Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Agjencia, gjatë procesit të verifikimit në subjektet anëtare, duke sjellë në vëmendje të pjesëmarrësve gjetjet më të rëndësishme të evidentuara gjatë këtij procesi. Agjencia bëri me dije subjektet, në lidhje me rëndësinë e raportimit dhe përditësimit të vazhdueshëm në lidhje me masat e marra për adresimin e gjetjeve gjatë procesit të verifikimit.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u adresua gjatë takimit, ishte njohja e subjekteve pjesëmarrëse me projektet strategjike prioritare për Agjencinë realizimi i të cilave kërkon bashkëpunim të ngushtë në vijimësi me subjektet anëtare të skemës, në funksion të rritjes së gatishmërisë për kryerjen e procesit të kompensimit, të tilla si: përmirësimi i cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe hartimi i një platforme të përbashkët për këtë qëllim; zhvillimi i sistemit IT për modulin e kryerjes së procesit të kompensimit; si dhe zhvillimi i “Stress Test-it” për të vlerësuar gatishmërinë e raportimit të bankave sipas një formati të kërkuar nga Agjencia gjatë simulimit të  një situate krize të mundshme.

Në përfundim të takimit, Agjencia falenderoi subjektet anëtare të skemës, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në funksion të forcimit dhe përmirësimit të skemës së sigurimit të depozitave.