Profili ASD
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) u krijua në vitin 2002 dhe kryen aktivitetin e saj në bazë të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar.
ASD administron skemën e sigurimit të depozitave. Agjencia siguron depozitat në bankat dhe shkk-të në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat janë subjektet anëtare të skemës. Anëtarësimi i tyre në skemë është i detyrueshëm. ASD është një model “paybox plus”(arkë pagese). Ligji “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, lejon Agjencinë gjithashtu të përdorë edhe metoda të ndryshme për zgjidhjen e bankave
ASD siguron depozitat e sigurueshme në çdo Bankë deri në nivelin maksimal 2.5 milion lekë për depozitues, për Bankë; dhe në çdo SHKK deri në 2 milion lekë për depozitues, për SHKK.
PËRFITUES nga skema e sigurimit dhe kompensimi i depozitës është çdo depozitues anëtar i bankës / shkk-së: individ, tregtar dhe shoqëri tregtare, rezident ose jorezident, shqiptar ose i huaj, i cili ka depozitë në një bankë / shkk, në lekë ose në monedhë të huaj, sipas ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar.
Depozitat në valutë janë të siguruara deri në të njëjtën shumë. Në rast të një ngjarje sigurimi, depozitat në valutë kompensohen në lekë, me kursin e këmbimit të monedhës në ditën e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës (Banka e Shqipërisë). Procesi i kompensimit është 3 muaj nga data e ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë në një subjekt të siguruar.
Financimi fillestar i skemës së sigurimit të depozitave është bërë nga buxheti i shtetit. Fondi themeltar për sigurimin e depozitave në banka dhe shkk ka vijuar të rritet nëpërmjet pagesës së kontributit fillestar të subjekteve që anëtarësohen për herë të parë dhe pagesës së primit të sigurimit periodik. Primi i sigurimit të depozitës përllogaritet nga subjektet anëtare dhe paguhet në llogarinë e Agjencisë në Bankën e Shqipërisë, në tremujorë.
ASD është administrator i Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (FNJ). Agjencia administron FNJ në përputhje me Politikën e Administrimit të mjeteve Financiare të miratuar nga Banka eShqipërisë e cila ëshjtë Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
ASD administrohet nga Këshilli Drejtues dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm.
ASD raporton në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shqipërisë.
ASD është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) dhe e Forumit Europian të Siguruesve të Depozitave (EFDI).