Përfshirja në Skemë

Një objektiv shumë i rëndësishëm i skemës së sigurimit të depozitave ishte pikërisht dhe zgjerimi i saj duke përfshirë dhe shoqëritë e kursim kreditit, si subjekte financiare të konsoliduara nga pikpamja e aktivitetit të tyre financiar duke kontribuar kështu edhe në rritjen e besimit, në sistemet financiare, por edhe në stabilitetin financiar të vendit.   

Viti 2016 shënoi mbylljen me sukses të këtij procesi sfidues për përfshirjen e shoqërive të kursim kreditit, në skemën e sigurimit të depozitave. Zgjerimi i skemës së sigurimit të depozitave me këto institucione u realizua në zbatim të ligjit nr. 39/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/14, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, si dhe në përputhje me rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë.

Procesi i përfshirjes së shoqërive të kursim-kreditit në skemë, është kryer në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë me Bankën e Shqipërisë. Marrja e informacionit për numrin e shoqërive të kursim-kreditit që pas transformimeve mbanin ende licencën e marrë nga Autoriteti Mbikëqyrës, verifikimi i përbashkët në këto shoqëri, e deri marrja e vendimeve e dhënia e çertifikatës së sigurimit të depozitave është bërë në këtë frymë bashkëpunimi.

Menjëherë me botimin në fletore zyrtare të ligjit nr. 39/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/14, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, si dhe në vijim të vitit 2016, Agjencia ka kryer takime informuese me përfaqësues të të gjithë shoqërive të kursim kreditit për plotësimin e kushteve për përfshirjen në skemë.

Fillimisht, u asistuan të gjitha SHKK-të e licensuara të dorëzonin brenda afatit kohor ligjor, 31 maj 2016, kërkesën për anëtarësim në skemën e sigurimit të depozitave.

Menjëherë pas kësaj u krye raundi i parë i verifikimit në të gjitha Shoqëritë e Kursim Kreditit që kishin dërguar kërkesën për anëtarësim në skemë. Në raportin e verifikimit u lanë rekomandime, me qëllim përmirësimin e punës për plotësimin e kërkesave për anëtarësim në skemë.

Pas afatit kohor të parashikuar në aktet nënligjore të Agjencisë, u krye raundi i dytë i verifikimit, në lidhje me korrigjimet e mangësive të gjetura në verifikimin e parë. Në përfundim dhe mbi bazën e këtij procesi, Këshilli Drejtues i Agjencisë mori vendimin për dhënien e vërtetimit për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave, si dhe refuzimin e kërkesës për anëtarësim për ato Shoqëri të Kursim-Kreditit, të cilat nuk plotësonin kushtet.

Më datë 30 nëntor 2016, Agjencia e Sigurimit të Depozitave u dha certifikatën e sigurimit të depozitave Shoqërive të Kursim-Kreditit, të cilat plotësonin kushtet për anëtarësim në skemë. Nga trembëdhjetë Shoqëri të Kursim-Kreditit që paraqitën kërkesën për anëtarësim në skemën e sigurimit të depozitave, vetëm pesë prej tyre plotësuan saktë dhe në kohë të gjitha kushtet për anëtarësim.

Në mbështetje të këtij procesi, Agjencia ndërtoi shtesë në Sistemin Informatik për Raportim dhe Kompensim për SHKK-të. Ky sistem ka si objektiv kryesor qendërzimin e informacionit elektronik të raportuar në Agjenci nga SHKK-të, për llogaritjen e primit tremujor për secilën SHKK dhe kompensimin e shpejtë dhe efektiv në rast të një ngjarjeje sigurimi të një SHKK-je.

Ky projekt është mundësuar nga një grant i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe kontributit të The Financial Services Volunteer Corps (FSVC), përmes asistencës së ekspertëve të nivelit të lartë nga The Federal Deposit Insurance Corporation (FDIC), për hartimin e termave të referencës.