Përllogaritja e Primit

Mënyra e përllogaritjes së primit tremujor

Primi për periudhën e marrë si shembull 1 janar 2016 – 31 mars 2016:

  1. Hapi i parë: përllogaritet mesatarja aritmetike e shumës së depozitave të siguruara:

Shënojmë me

  • “Mt Mn Mdh” – shumën e depozitave të siguruara në lekë për secilën ditë të fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm (Tetor, Nëntor, Dhjetor 2015).
  • A – mesatarja aritmetike e shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në Bankë për secilën ditë të fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

llogaritja e primit per bankat

  1. Hapi i dytë: llogaritja e shumës së primit të parë tremujor P1 (ku 0,125% është norma e primit tremujor)

A × 0.125 ÷ 100 = P1 (lekë)

Ky prim paguhet brenda datës 15 janar.

Përllogaritja e shumës të depozitave të siguruara kryhet në përputhje me aneksin 11 “ Vlerësimi i shumës së depozitave të siguruara ” të Udhezimit “Për sigurimin e depozitave në banka”, të cilin e gjeni në seksionin Baza Ligjore .

Vlerësimi i shumës së depozitave të siguruara

Banka, në vlerësimin e shumës së depozitave të siguruara, përcakton depozitat e individëve që janë subjekt i skemës, në përputhje me nenin 3 “Përkufizime” pika 13, 14, 15, nenet 26, 31 32 dhe 33 pika 1, shkronja “a” të ligjit.

Rasti i parë:

  • Depozituesi ka vetëm një depozitë individuale në lekë:
    Në qoftë se kjo depozitë është më e vogël, se 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë, ajo sigurohet e plotë (përfshihet interesi ditor i llogaritur në ditën e vlerësimit të primit);
    në qoftë se është më e madhe se 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë, sigurohet pjesa deri në nivelin 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë.
  • Depozituesi ka disa depozita individuale, të cilat janë në lekë dhe në monedhë të huaj. Depozitat në monedhë të huaj konvertohen në lekë sipas kursit zyrtar të Autoritetit Mbikëqyrës në ditën e vlerësimit, dhe më pas të gjitha depozitat agregohen. Shuma e gjetur nga agregimi, krahasohet me nivelin 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë dhe sigurohet pjesa e depozitës deri në nivelin e mbulimit.
  • Depozituesi ka disa depozita individuale dhe një ose më shumë depozita të përbashkëta me të drejta të plota. Në këtë rast bashkohen të gjitha depozitat individuale duke shtuar edhe pjesën koresponduese të depozitës të përbashkët, e cila ndahet në pjesë të barabarta midis titullarëve të saj, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në kushtet e vendosjes së depozitës.

Për konkretizim, në rast se një depozitues ka një depozitë të përbashkët me një të afërmin e tij, një depozitë individuale dhe një tjetër të përbashkët me dy persona të tjerë ose më shumë, atëherë ky depozitues është disponues i gjysmës së shumës së depozitës që ka me të afërmin e tij, i depozitës individuale dhe i një të tretës së depozitës së përbashkët me personat e tjerë, ato bashkohen dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.

Rasti i dytë:

Depozituesi ka depozitë të vendosur si garanci për një person të tretë. Në këtë rast e drejta për sigurim të depozitës i njihet titullarit të depozitës.

Në rast se depozituesi ka edhe depozita të tjera në bankë këto agregohen me depozitën e vendosur si garanci dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë.

Rasti i tretë:

Depozituesi ka depozitë të vendosur me kusht ose me afat në përfitim të një personi të tretë, të drejtat për sigurim të depozitës i njihen titullarit të depozitës deri në plotësimin e afatit ose kushtit përkatës. Në të kundërt, e drejta për sigurim i takon përfituesit të depozitës. Në rastin e depozitës të vendosur në përfitim të një treti pa kusht ose afat, e drejta për sigurimin e depozitës i njihet këtij të fundit. Në rastin e depozitës së vendosur në përfitim të më shumë se një personi të tretë, zbatohen rregullat e parashikuara për depozitat e përbashkëta me të drejta të plota. Në këtë rast zbatohet agregimi dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë.