Mbi zhvillimin e debatit me temë “A ndikojnë skemat e sigurimit të depozitave në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar të vendit?”

Data e fillimit: 30/03/2018
Data e mbarimit 30/03/2018
Vendndodhja: Tirana International Hotel, Tirana

Pershkrimi:

Me synim edukimin financiar të brezit të ri, si dhe në kuadër të Javës së Parasë,  më datë 30 Mars 2018, Agjencia e Sigurimit të Depozitave në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe Balkan Youth Link Albania (BYLA) organizuan debatin me temë “A ndikojnë skemat e sigurimit të depozitave në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar të vendit?”. Në këtë aktivitet morën pjesë studentë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universiteti Epoka dhe Kolegji Universitar Luarasi Tiranë.

Debati u zhvillua sipas formatit “Karl Popper”. Avantazhet e këtij formati janë të shumtë. Ai inkurajon pjesëmarrësit ta shohin një çështje nga shumë drejtime, të hedhin supozime, të kërkojnë fakte dhe evidenca dhe të zhvillojnë argumente logjikë të tillë që të mund të bindin të tjerët për atë çfarë ata po parashtrojnë, nxit dhe përmirëson zhvillimin e të menduarit kritik, tolerancën dhe vlerësimin e pikëpamjeve të ndryshme, komunikimin në publik dhe punën në grup .

Në respekt të rregullave të formatit, studentët u organizuan në 7 skuadra, të cilat u përballën duke dhënë argumenta PRO dhe KUNDËR në zhvillim të tematikës së debatit.

Në përfundim me çmimet fituese për “Skuadrën më të mire” dhe “Folësit më të mirë” u vlerësuan studentët Aldjon Bardhi, Edlira Bera, Ardita Ndoj dhe Aizabela Lusha, studentë të Fakultetit të Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.