Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 30 Prill 2024

Publikuar më:02-05-2024


Në datën 30 Prill 2024, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:
  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e mbyllur 31 mars 2024.
Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e parë të mbyllur më 31 Mars 2024. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).
  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e mbyllur 31 mars 2024.
Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e mbyllur 31 mars 2024. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).
  • Mbi miratimin e Raportit mbi Realizimin e Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2023.
Në mbështetje të nenit 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” të ligjit nr.53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “d”, dhe nenit 8, pika 2, shkronja “m” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Këshilli Drejtues miratoi Raportin e Realizimit të Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2023.
  • Mbi miratimin e “Raportit të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k. dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. për auditimin e brendshëm të Sektorit të Burimeve Njërëzore, për periudhën 18 Mars 2024 – 08 Prill 2024 dhe periudhën 1 Janar 2023-29 Shkurt 2024.
Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi raportin e auditimit të brendshëm të veprimtarisë të Sektorit të Burimeve Njerëzore për periudhën përkatëse. Shërbimi i auditit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave kryhet nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k. dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (IPPF). Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.