Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit Nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, Agjencia e Sigurimit të Depozitave prezantoi, më datë 19.06.2026, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, raportin mbi përmbushjen e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit “Për Vlerësimin e Veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për Vitin 2024”. Raporti u prezantua nga Z. Mina Kusta, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë.
Prezantimi i Drejtorit të Përgjithshëm u përqendrua në ecurinë e përgjithshme të realizimit të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit, duke evidentuar hapat institucionalë dhe legjislativë të ndërmarra nga Agjencia në drejtim të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, forcimit të gatishmërisë operacionale, rritjes së bashkëpunimit institucional me aktorët e tregut, si dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të saj administrative dhe njerëzore. Komisioni u njoh gjithashtu me angazhimin e Agjencisë për të vijuar këtë proces me të njëjtin rigorozitet dhe profesionalizëm, në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të institucionit.
Në përfundim, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, dha rekomandimet e tij për përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së Agjencisë. Pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, këto rekomandime do të përbëjnë bazën e punës së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për periudhën në vijim.
