Sa është shuma e kompensimit?
ASD siguron dhe kompenson ÇDO DEPOZITUES, NË ÇDO BANKË deri në nivelin maksimal ligjor 2.500.000 Lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës, në rastin kur Banka e Shqipërisë vendos në likuidim të detyruar një bankë dhe revokon licencën e saj.
Gjithashtu, ASD siguron dhe kompenson ÇDO DEPOZITUES, NË ÇDO SHOQËRI KURSIM-KREDITI deri në nivelin maksimal ligjor 2.000.000 Lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës, në rastin kur Banka e Shqipërisë vendos në likuidim të detyruar një shoqëri kursim-krediti dhe revokon licencën e saj.
Shuma e siguruar prej 2,500,000 Lekë përfshin principalin dhe interesin e përllogaritur deri në datën e revokimit të licencës. Shumës 2,500,000 Lekë, që përfitohet nga kompensimi, do t’i zbriten detyrimet e papaguara në kohë. I njëjti parim vlen edhe për përllogaritjen e shumës së siguruar në shoqëritë e kursim –kreditit, deri në nivelin maksimal ligjor prej 2.000.000 Lekë.
Depozitat e personave fizikë dhe juridikë në të njëjtën bankë sigurohen veçmas deri në 2,500,000 Lekë.
Depozituesit duhet të jenë të vetëdijshëm se ASD nuk mban asnjë interes për shumat e paguara në procesin e kompensimit.
Sipas ligjit, të papagueshme janë shumat në llogari, ku gjendja është më e vogël se 100 Lekë.
Në rast të bashkimit të bankave, depozitat në secilën bankë sigurohen deri në 3 (tre) muaj pas bashkimit. Pas skadimit të kësaj periudhe depozitat e një personi në të dyja bankat bashkohen dhe sigurohen e kompensohen si një e vetme.
Nëse depozituesi ka edhe detyrime (kredi) të papaguara në kohë ndaj bankës/shkk-së, ato përllogariten dhe zbriten nga shuma e kompensimit që ka rezultuar për atë depozitues.
Një depozitë e cila shërben si kolateral apo garanci nuk përfshihet në llogaritjen e shumës së siguruar dhe nuk kompensohet.
Për pjesën që tejkalon nivelin maksimal ligjor (2,500,000 Lekë për depozitat në banka dhe 2,000,000 Lekë për depozitat në shoqëritë e kursim kreditit) depozituesit i drejtohen likuidatorit të caktuar nga Banka e Shqipërisë për administrimin e aseteve të bankës/shkk-së së falimentuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Shembull 1
Z ka një llogari bankare në shumën 200.000 lek dhe një llogari kursimi në shumën 900.000 lek përfshirë interesin e maturuar. Z do të përfitojë nga skema e sigurimit të depozitave 1.100.000 lek.
Shembull 2
Y ka një llogari kursimi në shumën 100.000 lek, si dhe një kredi për të cilën nuk ka shlyer këstin e muajit prej 25.000 lek.
Y do të përfitojë 85.000 lek, pasi nga llogaria e saj e kursimit do të zbriten detyrimet e papaguara në kohë për këstin e kredisë.
Shembull 3
Z dhe N kanë një llogari bankare të përbashkët në shumën 3.000.000 lek, ndërsa N ka edhe një llogari kursimi në shumën 1.000.000 lek.
Z do të përfitojë shumën prej 1.500.000 lek nga llogaria e përbashkët, e cila ndahet ndërmjet Z dhe N.
N do të përfitojë 2.500.000 lek, pasi 1.500.000 lek janë nga llogaria e përbashkët, plus 1.000.000 lek nga llogaria e kursimit.
Shembull 4
J ka një llogari bankare në shumën 500.000 lek, një llogari kursimi në shumën 1.000.000 lek, dhe një llogari si tregtar në shumën 2.700.000. Në përfitim të J, është hapur një llogari bankare në shumën 400.000 lek nga Z. J do të përfitojë nga skema e sigurimit të depozitave:
a. si individ: 500.000 + 1.000.000 + 400.000 = 1.900.000, d.m.th bashkohen depozitat e J si dhe depozita si përfitues nga Z.
b. si tregtar: 2.500.000 lek, d.m.th jo më shumë se niveli maksimal i mbulimit në një bankë.
Shembull 5
L ka një llogari kursimi në shumën 27.000 euro, në një shoqëri të kursim – kreditit, përfshirë interesin e maturuar deri në ditën e vlerësimit. Kjo shumë konvertohet në lek, psh. 27.000 x 104 = 2.808.000 lek.
L përfiton 2.000.000 lek deri në nivelin maksimal të mbulimit në shoqërinë e kursim – kreditit.