Kreu / RRETH NESH / FJALORTH
Fjalorth
Agjencia e Sigurimit të Depozitave
Autoriteti përgjegjës për sigurimin dhe kompensimin e depozitave në banka dhe shoqëritë e kursim – kreditit në Republikën e Shqipërisë.
Afati i kompensimit
Është afati ligjor brenda të cilit Agjencia duhet të kryejë pagesat e kompensimit. Aktualisht ky afat është tre muaj nga marrja e vendimit të Bankës së Shqipërisë për vendosjen e bankës ose shoqërisë së kursim – kreditit në likuidim të detyruar.
Depozitë e pasiguruar
Është vlera e depozitës mbi nivelin maksimal të mbulimit, si dhe depozitat e përjashtuara nga sigurimi.
Depozitë kolateral
Është depozita e vendosur nga depozituesi si kolateral (garanci), për të garantuar detyrimet e tij kundrejt bankës, sipas kushteve të kontratës përkatëse. Banka ka të drejtën ekskluzive për të disponuar këtë depozitë, e cila nuk sigurohet.
Autoritet mbikëqyrës
Autoriteti mbikëqyrës i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është Banka e Shqipërisë.
Fondi i Sigurimit të Depozitave
Është fondi i krijuar nga kontributet e rregullta dhe periodike të bankave dhe shoqërive të kursim- kreditit si dhe aktiviteti investues i Agjencisë. Ky fond shërben për kompensimin e depozitave, deri në nivelin maksimal të mbulimit, në banka dhe shoqëri kursim-krediti, të cilat nuk kanë mundësi të përmbushin detyrimet e tyre kundrejt depozituesve.
Bankë
Banka është person juridik, që pranon depozita, jep kredi dhe kryen veprimtari financiare për publikun. Banka licensohet nga Banka e Shqipërisë dhe anëtarësohet në skemën e sigurimit të depozitave për të ushtruar veprimtarinë e saj.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
Është fondi i krijuar nga kontributet e rregullta dhe periodike të bankave si dhe aktiviteti investues i Agjencisë. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme ofron burime financiare për përdorimin e mjeteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme me qëllim vazhdimin e funksioneve të bankës, ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e depozituesve të siguruar.
Bankë e falimentuar
Një bankë, e cila është vendosur në likuidim të detyruar nga Banka e Shqipërisë për shkak të paaftësisë financiare për të përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj depozituesve të saj.
Huadhënës i instancës së fundit (Lender of last resort)
Është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila lidh marrëveshje huaje me Agjencisë, për plotësimin e fondeve të saj në rast ngjarjeje sigurimi.
Bankë agjente
Një bankë apo disa banka, që përzgjidhen nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave për të kryer pagesat e kompensimit të depozituesve. Bankat agjente përzgjidhen çdo tre vjet përmes një procesi verifikimi të kritereve të përcaktuara në aktin nënligjor të miratuar nga Banka e Shqipërisë.
Kompensimi i depozitave
Është pagesa e shumës së përcaktuar deri në nivelin maksimal të mbulimit, që Agjencia e Sigurimit të Depozitave duhet t’i paguajë depozituesve të siguruar, në rast se banka ose shoqëria e kursim – kreditit, ku ata kanë vendosur depozitat e tyre, është në pamundësi financiare për të përmbushur detyrimet e parashikuara në kontratën e nënshkruar midis palëve. Kjo pagesë mund të kryhet me para në dorë, me çek, ose me transfertë bankare në një llogari tjetër.
Cedimi /Subrogimi
Është kalimi tek Agjencia i të gjitha të drejtave të depozituesve, për të pretenduar nga Likuidatori shumën e depozitave të kompensuara dhe kostot e lidhura me procesin e kompensimit.
Likuidim i detyruar i bankës ose shoqërisë së kursim – kreditit
Është procedura e vendosur nga Banka e Shqipërisë ose gjykata për heqjen e licencës dhe mbylljen e aktivitetit të një banke apo shoqërie kursim krediti. Ky vendim mund të merret, ndër të tjera, për shkak të paaftësisë së deklaruar të bankës apo shoqërisë së kursim kreditit për të përmbushur detyrimet e saj financiare.
Depozitues
Është çdo individ, tregtar dhe person juridik, që ka depozitë në një bankë ose shoqëri kursim – kreditit, në lekë ose në monedhë të huaj.
Nivelet maksimale të mbulimit
Janë vlerat monetare maksimale që Agjencia i paguan çdo depozituesi në çdo bankë ose shoqëri të kursim – kreditit në rast ngjarjeje sigurimi, pavarësisht numrit të depozitave ose llojit të tyre në këtë bankë ose shkk. Niveli maksimal i mbulimit për secilin depozitues të sigururar në çdo bankë është 2.500.000 (dy milionë e pesëqind mijë) lek. Niveli maksimal i mbulimit për secilin depozitues të sigururar në çdo shoqëri të kursim – krediti është 2.000.000 (dy milionë) lek.
Depozitë
Është një shumë parash, të cilën një individ, tregtar ose person juridik depoziton në një bankë ose shoqëri kursim – krediti dhe që duhet të kthehet në të njëjtën monedhë, sipas kontratës së nënshkruar.
Ndërhyrje e jashtëzakonshme në bankë
Janë procedurat e ndjekura në një bankë, me vendim të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Banka e Shqipërisë), me qëllim vazhdimin e funksioneve të bankës, ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e depozituesve të siguruar.
Depozitë e siguruar
Është vlera e mbledhur e të gjitha depozitave të një depozituesi, përfshirë interesin, që përllogaritet në datën e llogaritjes së primit ose të ngjarjes së sigurimit, deri në nivelin maksimal të mbulimit, me përjashtim të depozitave të pasigurueshme.
Ngjarje sigurimi quhet:
Ngjarje sigurimi quhet:
- Kur Agjencia paguan, deri në nivelin maksimal të mbulimit, depozitat e depozituesve të një banke ose shoqërie të kursim – kreditit, të cilat janë vendosur në likuidim të detyruar nga Banka e Shqipërisë;
- Kur Agjencia transferon mjete monetare në një bankë, ndaj të cilës po merren masa të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, me vendim të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Banka e Shqipërisë), me qëllim që depozituesit të vazhdojnë të kenë mundësi t’i përdorin depozitat e tyre.
Depozitë e sigurueshme
Është vlera e mbledhur e të gjitha depozitave të një depozituesi, përfshirë interesin, që përllogaritet në datën e llogaritjes së primit ose të ngjarjes së sigurimit, me përjashtim të depozitave të pasigurueshme.
Primi i sigurimit të depozitave dhe kontributet
Janë vlerat monetare që çdo bankë dhe shoqëri e kursim – kreditit i paguan Agjencisë, me qëllim sigurimin e depozitave të depozituesve dhe kompensimin e tyre në rast ngjarje sigurimi.
Depozitë e përbashkët
Është depozita e vendosur në emër të dy ose më shumë personave, që kanë të drejta të plota për ta disponuar atë bashkërisht dhe individualisht. Secili prej tyre përfiton nga sigurimi i depozitës deri në nivelin maksimal të mbulimit.
Sigurimi i depozitave
Sistemi/skema që krijohet për të kompensuar depozitat në bankat dhe shoqëritë e kursim – kreditit anëtare, në rast se këto institucione financiare janë në pamundësi financiare t’u përgjigjen detyrimeve kontraktuale me depozituesit e tyre. Pjesëmarrës të skemës janë Agjencia e Sigurimit të Depozitave, si siguruese e depozitave, bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit, si anëtare të skemës, Banka e Shqipërisë, si mbikëqyrëse e tyre, dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë si huadhënëse e instancës së fundit.
Depozitë me person të autorizuar
Është depozita në të cilën vetëm titullari i saj ka të drejta të plota pronësie, ndërsa personi i autorizuar kryen veprime të caktuara në emër të titullarit. Në këtë rast, vetëm titullari përfiton nga sigurimi i depozitës deri në nivelin maksimal të mbulimit.
Shoqëri e kursim – kreditit
Shoqëria e kursim-kreditit është person juridik që përbëhet nga bashkime vullnetare individësh, personash fizikë ose juridikë, e cila ofron shërbime vetëm për anëtarët e saj. Anëtarët depozitojnë paratë e tyre në shoqëri dhe këto fonde përdoren për dhënien e kredive anëtarëve të saj. Shoqëria e kursim – kreditit licensohet nga Banka e Shqipërisë dhe anëtarësohet në skemën e sigurimit të depozitave për të ushtruar veprimtarinë e saj financiare.
Depozitë e vendosur në përfitim të një pale të tretë
Është depozita e vendosur nga depozituesi në përfitim të një pale të tretë, që ka të drejtën e pronësisë mbi këtë depozitë sipas kushteve të kontratës. Të drejtat për kompensim të kësaj depozite i njihen palës së tretë, sipas kontratës.