Faqja Kryesore / Rreth Nesh

Profili i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD)

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) u krijua në vitin 2002 dhe kryen aktivitetin e saj në bazë të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar.

ASD administron skemën e sigurimit të depozitave. Agjencia siguron depozitat në bankat dhe shkk-të në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat janë subjektet anëtare të skemës.  Anëtarësimi i tyre në skemë është i detyrueshëm. ASD është një model “paybox plus”(arkë pagese). Ligji “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, lejon Agjencinë gjithashtu të marrë pjesë me transferim mjetesh financiare, të fondit të kompensimit, gjatë kryerjes së ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka, në përputhje me dispozitat e ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”. ASD siguron depozitat e sigurueshme në çdo Bankë deri në nivelin maksimal 2.5 milion lekë për depozitues, për Bankë; dhe në çdo SHKK deri në 2 milion lekë për depozitues, për SHKK.

PËRFITUES nga skema e sigurimit dhe kompensimi i depozitës është çdo depozitues anëtar i bankës / shkk-së: individ, tregtar dhe shoqëri tregtare, rezident ose jorezident, shqiptar ose i huaj, i cili ka depozitë në një bankë / shkk,  në lekë ose në monedhë të huaj, sipas ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar.
Depozitat në valutë janë të siguruara deri në të njëjtën shumë. Në rast të një ngjarje sigurimi, depozitat në valutë kompensohen në lekë, me kursin e këmbimit të monedhës në ditën e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës (Banka e Shqipërisë). Procesi i kompensimit është  3 muaj nga data e ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë në një subjekt të siguruar.
Financimi fillestar i skemës së sigurimit të depozitave është bërë nga buxheti i shtetit.  Fondi themeltar për sigurimin e depozitave në banka dhe shkk ka vijuar të rritet nëpërmjet pagesës së kontributit fillestar të subjekteve që anëtarësohen për herë të parë dhe pagesës së primit të sigurimit periodik. Primi i sigurimit të depozitës përllogaritet nga subjektet anëtare dhe paguhet  në llogarinë e Agjencisë në Bankën e Shqipërisë, në tremujorë.
ASD është administrator i Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (FNJ). Agjencia administron FNJ në përputhje me Politikën e Administrimit të mjeteve Financiare të miratuar nga Banka e Shqipërisë e cila është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

ASD administrohet nga Këshilli Drejtues dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm.
ASD raporton në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shqipërisë.
ASD është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) dhe e Forumit Europian të Siguruesve të Depozitave (EFDI).

Këshilli Drejtues

Organizimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave

Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është organi më i lartë vendimmarrës i Agjencisë. Bazuar në ligjin 53/14, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, anëtarët e këshillit drejtues emërohen nga Autoriteti Mbikëqyrës (Banka e Shqipërisë), të propozuar si më poshtë:

Dy anëtarë nga Autoriteti Mbikëqyrës.
Dy anëtarë nga Ministri i Financave.
Nje anëtar nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA)

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Agjencisë emërohen për një afat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhen, bazuar në treguesit e performancës të veprimtarisë së tyre. Datat e qëndrimit në detyrë të anëtarëve janë të shpërndara gjatë periudhës pesëvjeçare.

Disa nga kompetencat dhe përgjegjësitë kryesore të Këshillit Drejtues janë: *

garanton zbatimin e legjislacionit në fuqi nga Agjencia;
administron rrezikun, ndaj të cilit Agjencia ekspozohet gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, duke marrë masat e duhura;
krijon sistemin e kontrollit të brendshëm për të gjitha fushat e veprimtarisë së Agjencisë dhe siguron funksionimin e tij;
miraton statutin, rregulloret e brendshme dhe planet strategjike e vjetore të veprimtarisë të Agjencisë;
mbikëqyr veprimtarinë e drejtorit të përgjithshëm dhe shqyrton raportimet e tij mbi administrimin e veprimtarisë së Agjencisë;
miraton strukturën organizative dhe projektbuxhetin e Agjencisë;
vendos për politikat e administrimit të mjeteve financiare të Agjencisë;
miraton bilancin vjetor, raportin vjetor dhe raportet e tjera financiare të Agjencisë;
përcakton primet e sigurimit, kontributet e anëtarësimit dhe kontributet e veçanta në përputhje me ligjin “Për sigurimin e depozitave”;
miraton dhe revokon dhënien e vërtetimit për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore, lidhur me sigurimin e depozitave dhe miraton anëtarësimin ose përjashtimin e subjekteve nga skema;
miraton masat parandaluese që Agjencia ushtron ndaj subjekteve anëtare, në përputhje me ligjin “Për sigurimin e depozitave” dhe aktet nënligjore, dhe propozon në Autoritetin Mbikëqyrës marrjen e sanksioneve ndaj subjekteve anëtare, sipas dispozitave të ligjit “Për sigurimin e depozitave”;
vendos për kompensimin e depozitave të siguruara sipas dispozitave të ligjit “Për sigurimin e depozitave”;
propozon për miratim në Autoritetin Mbikëqyrës shtyrjen e afatit për kryerjen e procesit të kompensimit;
vendos për pjesëmarrjen e Agjencisë në funksionet e kujdestarisë, likuidimit, shitjes së subjekteve anëtare dhe për pretendimin e Agjencisë të tagrave të ceduara nga kompensimi i depozituesve;

*Shënim: Për më shumë informacion rreth funksionimit të Këshillit Drejtues dhe mbledhjeve të tij, procedurave të emërimit e lirimit të anëtarëve, kompetencave dhe përgjegjësive, ju lutem referojuni neneve nga 48 deri 52 të Ligjit Nr. 53/14 datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i cili mund të gjendet në seksionin ‘Legjislacioni’ të kësaj faqeje.

Te tjera:

Baza Ligjore

Lexo me shumë!

Plane Strategjike

Lexo me shumë!

Raporte/Pasqyra Financiare

Lexo me shumë!

Vendime të këshillit drejtues

Lexo me shumë!

Statuti

Lexo me shumë!

Struktura Organizative

Lexo me shumë!