Si përfitohet shuma e kompensimit?
ASD siguron shlyerjen e plotë të fondeve të depozituesit pranë çdo banke/shkk-je, pavarësisht nga numri dhe shuma e depozitave, deri në shumën 2,500,000 Lekë në rast se Banka e Shqipërisë i heq licencën një banke, dhe deri në shumën 2,000,000 Lekë në rast se Banka e Shqipërisë i heq licencën një shoqërie kursim krediti.
Kompensimi i depozitave nga ASD kryhet nëpërmjet një banke që operon në Shqipëri. Kjo bankë përzgjidhet nga ASD për të vepruar për llogari të saj si agjente e kryerjes së pagesave të kompensimit.
Nuk është e nevojshme të paraqisni një kërkesë pranë ASD ose bankës agjente për të marrë pagesën. Pagesa e kompensimit bazohet në të dhënat tuaj personale dhe të depozitës siç janë regjistruar në bankën apo shkk-në ku ju keni vendosur depozitën tuaj.
Si depozitues duhet të vizitoni një nga degët e bankës agjente përcaktuar në njoftimin e ASD-së, dhe pasi të paraqisni një dokument identifikimi apo dokumente për përfaqësim (për personat juridikë) do të njoftoheni për shumën e përllogaritur për kompensimin e depozitës tuaj.
Nëse shuma e kompensimit është e saktë dhe ju nuk keni pretendime, ajo mund të transferohet në një bankë tjetër bazuar në të dhënat që ju do të përcaktoni, mund të vendoset në një depozitë në bankën agjente ose të tërhiqet me para në dorë.
Nëse jeni të pamundur të tërhiqni personalisht shumën tuaj të kompensimit, mund ta bëni këtë nëpërmjet një përfaqësuesi. Përfaqësuesi për të tërhequr shumën, duhet të paraqesë në bankën agjente një prokurë të noterizuar. Prokurat e lëshuara jashtë vendit do të legalizohen në një konsullatë të Republikës së Shqipërisë ose nga një noter publik dhe do të vërtetohen me vulë apostile dhe të legalizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
Përpara se të vizitoni bankën agjente, sigurohuni që të dhënat tuaja në bankën/shkk-në ku keni vendosur depozitat tuaja të jenë të sakta.