Ndërhyrja e Jashtëzakonshme
Regjimi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka ka hyrë në fuqi në vitin 2017 me Ligjin nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Banka e Shqipërisë është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri.
Ligji nr. 133/2016 cakton Agjencinë e Sigurimit të Depozitave si administruese të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Fondi administrohet në përputhje me politikën e investimit të miratuar nga Banka e Shqipërisë. Agjencia e Sigurimit të Depozitave mban llogari dhe regjistra financiarë të veçantë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Pasqyrat financiare vjetore të fondit certifikohen nga auditues të jashtëm të specializuar.
Agjencia publikon në faqen e saj të internetit raportet e veprimtarisë vjetore të investimit si dhe pasqyrat e audituara të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
Në përputhje me Ligjin dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, ASD mund të marrë pjesë në ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, nëpërmjet përdorimit të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, si dhe transferimit të mjeteve monetare nga Fondi i Kompensimit të depozitave në banka.