Më 8 qershor 2026, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) zhvilloi në ambientet e saj një takim konsultativ me përfaqësuesit e Shoqërive të Kursim-Kreditit (SHKK), anëtare të skemës së sigurimit të depozitave. Takimi u organizua në kuadër të procesit të konsultimit të ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për sigurimin e depozitave” dhe masave për përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e SHKK-ve u njohën me ndryshimet kryesore të projektligjit, të cilat synojnë forcimin e mbrojtjes së depozituesve dhe rritjen e efektivitetit të skemës së sigurimit të depozitave. Ndër çështjet e trajtuara ishin rritja e nivelit të mbulimit të depozitave të siguruara dhe zbatimi i përllogaritjes së kontributit me bazë rreziku për sektorin e Shoqërive të Kursim-Kreditit. Të dyja këto ndryshime parashikohet të hyjnë në fuqi në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me kërkesat e legjislacionit evropian.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe konstruktive, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të paraqesin komente dhe sugjerime mbi ndryshimet e propozuara dhe implikimet e tyre për sektorin.
Në përfundim, ASD ritheksoi angazhimin e saj për të vijuar bashkëpunimin me Shoqëritë e Kursim-Kreditit, me qëllim zbatimin e reformave që forcojnë mbrojtjen e depozituesve dhe kontribuojnë në rritjen e stabilitetit dhe besueshmërisë së sistemit financiar.

