06/02/2026

Mbi raportimin në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit Nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar dhe Manualit të Monitorimit Vjetor dhe Periodik miratuar me Vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 134/2018, datë 20.12.2018, Agjencia e Sigurimit të Depozitave prezantoi në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat raportin vjetor për veprimtarinë e institucionit përgjatë vitit 2025. Raporti u prezantua nga Z. Mina Kusta, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë.

Prezantimi i aktivitetit të Agjencisë për periudhën në raportim, u përqendrua në realizimin me sukses të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ecurinë e depozitave të qytetarëve shqiptarë në banka dhe shoqëritë e kursim kreditit, miradministrimin e fondeve të krijuara për kompensimin e depozitave të siguruara të individëve, tregtarëve dhe shoqërive tregtare, të cilat edhe gjatë vitit 2025 kanë ndjekur një trend në rritje, etj. Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe përafrimit me Direktivën e BE “Për skemat e garantimit të depozitave”, Komisioni u informua, gjithashtu, për hapat legjislativë të ndjekur nga Agjencia në drejtim të hartimit të projektligjit të ri, i cili do të reformojë skemën e sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë në përputhje me standardet evropiane.

Në përfundim, Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, vlerësoi pozitivisht punën e Agjencisë. Ky vlerësim përbën një dëshmi të angazhimit institucional të Agjencisë për të përmbushur me përgjegjësi misionin e saj dhe për të forcuar më tej besimin e publikut në sistemin e sigurimit të depozitave.

Scroll to Top