Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), si një nga institucionet përbërëse të rrjetit të sigurisë financiare në vend, vijon të vendosë theks të veçantë në edukimin financiar të brezit të ri. Informimi i studentëve mbi temat e stabilitetit financiar dhe funksionimin e sistemit bankar mbetet thelbësor për krijimin e një kulture financiare më të qëndrueshme.
Në këtë kuadër në datë 26.05.2026, u zhvillua një leksion i hapur me studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit pranë Universitetit Europian të Tiranës me temë: “Sa të sigurta janë kursimet tona? Roli dhe funksioni i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”.
Leksioni u hap nga Dekania e këtij Fakulteti, Dr. Elona Shehu, e cila theksoi se ndërgjegjësimi i të rinjve mbi sigurinë e kursimeve dhe funksionimin e skemës së sigurimit të depozitave përbën një hap të rëndësishëm në formimin e tyre profesional dhe qytetar. Ajo nënvizoi se aktivitete të tilla synojnë të mbështesin edukimin financiar të studentëve, duke i pajisur ata me njohuri më të thelluara mbi mekanizmat mbrojtës të sistemit financiar si dhe rolin e institucioneve që garantojnë stabilitetin e tij.
Gjatë leksionit, studentët u njohën me funksionimin e skemës së sigurimit të depozitave në vend, përfitimet dhe kufizimet e saj, si dhe me rolin e ASD-së si institucioni i vetëm që garanton depozitat e sigurueshme dhe kompenson depozituesit në rast të likuidimit të detyruar të subjekteve anëtare të skemës (banka dhe shoqëri kursim-krediti).
Interesi i studentëve ishte i dukshëm, i reflektuar në pjesëmarrjen aktive, pyetjet dhe diskutimet gjatë prezantimit, duke e kthyer këtë leksion në një eksperiencë të vlefshme ndërvepruese dhe edukative. Në vijim të angazhimit të saj për edukimin financiar dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik, ASD do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete të ngjashme, në përputhje me strategjitë e saj të komunikimit dhe informimit, me qëllim arritjen e sa më shumë grupeve të synuara dhe forcimin e njohurive të tyre mbi sigurimin e depozitave dhe rëndësinë e stabilitetit
