05/22/2026

Takim konsultativ me përfaqësuesit e bankave anëtare të skemës së sigurimit të depozitave.

Më 22 maj 2026, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, organizoi një takim konsultativ me përfaqësuesit e bankave anëtare të skemës së sigurimit të depozitave. Qëllimi i takimit ishte informimi i bankave lidhur me ndryshimet kryesore të projektligjit “Për sigurimin e depozitave”, si dhe metodologjinë e përllogaritjes së primit me bazë rreziku.  

Çështjet kryesore të cilat u trajtuan gjatë këtij takimi lidhen me rritjen e nivelit të mbulimit, sigurimin e depozitave me balancë të përkohshme, përmirësimin e procesit të kompensimit, si dhe ndryshimet në lidhje me administrimin e fondit të sigurimit të depozitave në banka.

Një nga risitë kryesore të projektligjit “Për sigurimin e depozitave”, është edhe propozimi për përllogaritjen e primit të sigurimit bazuar në profilin e rrezikut të secilës bankë. Për këtë qëllim, Agjencia prezantoi projektin e metodologjisë së hartuar, e cila synon të përcaktojë kontributin vjetor të primit në mënyrë të drejtë dhe të bazuar në risk, duke informuar bankat mbi impaktin e saj në nivel sektori.

Në përfundim të takimit, u ra dakord, që  Agjencia do të vijojë bashkëpunimin me bankat anëtare të skemës, me qëllim përfshirjen e komenteve të tyre në dispozitat e projektligjit “Për sigurimin e depozitave”.  Për sa i përket impaktit të metodologjisë së përllogaritjes së primit me bazë rreziku për secilën bankë, Agjencia do të zhvillojë takime individuale me bankat, me qëllim diskutimin e detajuar të efekteve të metodologjisë së re.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbetet e angazhuar për të forcuar transparencën, besueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar nëpërmjet një skeme moderne dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.

Scroll to Top