Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 21 Shkurt 2020

Publikuar më: 21-02-2020


Në mbledhjen e datës 21 Shkurt 2020, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Raportit Vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019.

Këshilli Drejtues miratoi Raportin Vjetor për veprimtarinë e Agjencisë për vitin 2019. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin, Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë në cilësinë e Autoritetit Mbikëqyrës si dhe publikun mbi veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Raporti, ndër të tjera, pasqyron:

  • Adresimin e rekomandimeve te Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
  • Gjendjen dhe ecurinë e depozitave në sistemin financiar gjatë vitit në raportim;
  • Mbarëvajtjen e fondeve të administruara nga Agjencia;
  • Projektet dhe iniciativat kryesore të Agjencisë në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale;
  • Raportet financiare, etj.

Raporti Vjetor për aktivitetin e Agjencisë në vitin 2019 mund të konsultohet seksionin përkatës në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2019.

Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2019. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2018.

Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2019. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Raportit për veprimtarinë investuese të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2019.

Në zbatim të nenit 79 pika 5 e ligjit nr. 133, datë 22.12.2016 “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka, në Republikën e Shqipërisë, vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Nr.56, datë 03.10.2017 për miratimin e rregullores “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe proçedurat për administrimin e tij”, dokumentit “Politika e administrimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”, Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Ky raport pasqyron aktivitetin e investues të kryer nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, përgjatë vitit 2019, në rolin e administratorit të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duke përshtatur investimet sipas maturiteteve të përshkallëzuara.

Përmbajtja e plotë e këtij Raporti do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.