Agjencia e Sigurimit të Depozitave merr pjesë në takimet bilaterale Shqipëri-BE për kapitullin 9, “Shërbimet Financiare”.

Publikuar më: 16-02-2023


Agjencia e Sigurimit të Depozitave si anëtare e grupit negociator për Kapitullin 9 “Shërbimet financiare”, krahas Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, mori pjesë në Takimin Bilateral Shqipëri-BE zhvilluar në datat 13 – 14 shkurt 2023.

Përgjatë dy ditëve të takimit ekspertët e Komisionit Evropian u njohën me kuadrin ligjor e rregullator në fushën bankare dhe atë të shërbimeve financiare jo-bankare. Ekspertët e grupit negociator shqiptar ofruan një panoramë të detajuar të zhvillimeve në tregjet financiare shqiptare si dhe hapat e ndërmarrë nga rregullatorët financiarë në kuadër të përafrimit të mëtejshëm me direktivat evropiane të fushës. Duke iu referuar fushave specifike që mbulon acquis në kapitullin 9, siç janë shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të titujve, ekspertët e grupit negociator shqiptar adresuan pyetjet e ngritura nga ekspertët e Komisionit Evropian për çështjet përkatëse.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave raportoi në këtë takim bilateral mbi tiparet e skemës së sigurimit të depozitave, kuadrin ligjor dhe rregullator për mbrojtjen e depozituesve të siguruar dhe rolin në rrjetin e sigurisë financiare në vend. Gjithashtu pjesë e raportimit ishin trendet dhe ecuria e depozitave në sistemin bankar dhe të shkk-ve, fondet e administruara nga Agjencia për kompensimin e depozituesve të siguruar, si dhe niveli i përafrimit të akteve ligjore rregullative me Direktivën 2014/49/EU për Skemat e Garantimit të Depozitave.

Në vijim të këtij takimi, ekspertët e KE-së do të analizojnë në mënyrë të detajuar dhe do të nxjerrin konkluzione mbi nivelin e përafrimit me Direktivat Evropiane, si edhe do të japin rekomandime në lidhje me hapat e mëtejshëm që duhen ndjekur.

Bilateral-Screening_13.02.2023

Image 1 of 1