03/21/2023

Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”

Në datën 20 mars 2023 në ambjentet e Bankës së Shqipërisë u organizua ceremonia kremtuese e Javës së Parasë për vitin 2023. Tema e këtij viti është “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”

Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si dhe partnerë të tjerë, përgjatë kësaj jave, organizojnë dhe mbështesin aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. 

Aktivitetin kremtues e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella. Në këtë event mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ASD-së z. Genc Mamani dhe drejtues të bankave.

Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve me temë, të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Gjithashtu, në kuadër të Javës së Parasë 2023, në datën 30 mars do të organizohet për herë të katërt Kuizi Evropian i Parasë, një konkurs mbarevropian me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve në moshën 13-15 vjeç (klasat e 9-ta) pavarësisht lëndëve mësimore që zhvillojnë. Kuizi pritet të përfshijë qindra nxënës. Fituesit në rang kombëtar, do të konkurojnë në finalen evropiane të Kuizit Evropian të Parasë, i cili do të zhvillohet në Bruksel. Kuizi Evropian i Parasë do të mbështetet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Scroll to Top