Në mbledhjen e datës 30 Nëntor 2022, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në vijim të vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për dhënien e miratimit paraprak për bashkimin me përthithje të Banka OTP Albania Sh.A. me Bankën Alpha Albania Sh.A.”, bazuar në dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar si dhe në akte të tjera ligjore dhe nënligjore, mori në shqyrtim dhe miratoi përjashtimin nga skema dhe revokimin e çertifikatës së sigurimit të depozitave të Bankës Alpha Albania Sh.A., të përthithur nga Banka OTP Albania Sh.A..
Vendimmarrja e Këshillit Drejtues e ngarkon bankën përthithëse, Bankën OTP Albania Sh.A., që për qëllim të sigurimit nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, të mbajë të veçuara depozitat e siguruara të subjektit të përthithur, Banka Alpha Albania Sh.A., për një periudhë tre-mujore nga data 1 dhjetor 2022, që përkon me çregjistrimin e këtij subjekti në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe hyrjen në fuqi të revokimit të licencës.
Sa më sipër, depozituesit, të cilët kanë depozita në Bankën OTP Albania Sh.A. si edhe në Bankën Alpha Albania Sh.A., do të sigurohen veçmas, për një periudhë prej tre muaj, nga data 1 Dhjetor 2022. Pas kësaj periudhe, depozitat e këtyre depozituesve do të sigurohen të agreguara pranë Bankës OTP Albania Sh.A.