Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh sipas përcaktimeve në Memorandumin e Bashkëpunimit nënshkruar ndërmjet dy institucioneve, një delegacion i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave vizitoi Fondin e Sigurimit të Depozitave të Hungarisë.
Duke marrë në konsideratë që të dy autoritetet veprojnë në mjedise operacionale të ngjashme, çështjet pjesë e diskutimeve përfshinin tematika që lidheshin me zgjidhjet e ndërmarra për procese efikase kompensimi, bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve pjesë të rrjetit të sigurisë financiare, përmirësimin e praktikave për ngritjen e infrastrukturës mbështetëse për sigurimin e vazhdimësisë së operacioneve, etj. Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin stadi aktual dhe progresi i pritshëm i propozimeve për ndryshime në kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian për menaxhimin e krizave financiare dhe sigurimin e depozitave si dhe hapat e ndërmarra nga ASD për përputhshmërinë e kuadrit ligjor me Direktivat e BE-së. Ky diskutim merr një rëndësi të veçantë duke marrë në konsideratë që Hungaria aktualisht mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian dhe eksperienca hungareze konsiderohet një vlerë e shtuar në këtë drejtim.
Në përfundim të vizitës drejtuesit e të dy institucioneve e konsideruan atë si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Fondit të Sigurimit të Depozitave të Hungarisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Ata u angazhuan që të vijojnë me bashkërendimin dhe ekzekutimin e protokolleve të bashkëpunimit në funksion të çështjeve të identifikuara me interes të përbashkët.