Harmonizimi i legjislacionit shqiptar për sigurimin e depozitave me acquis të BE-së është një nga prioritetet strategjike të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe si i tillë është pjesë integrale e strategjisë afatmesme për periudhën 2024-2026 të hartuar dhe miratuar nga ASD. Për këtë qëllim ASD në vazhdimësi ka vijuar me përpjekjet në drejtim të adresimit të çështjeve që përbëjnë mospërputhshmëri me direktivat e BE-së.
Gjithsesi, përpjekjet e ASD ndikohen dhe nga zhvillimet në mjedisin rregullativ të BE-së. Ndikimi kryesor në këtë drejtim lidhet reformën ligjore që Komisioni Evropian ka ndërmarrë me qëllim forcimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për menaxhimin e krizave financiare dhe skemat e sigurimit të depozitave në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së të ardhurave të taksapaguesve, mbrojtjes së ekonomisë nga ndikimi që mund të ketë falimentimi i institucioneve bankare si dhe mbrojtjes më efikase të ofruar për depozituesit. Në këtë kuadër ligjor përfshihen Direktiva 2014/49/BE “Për skemat e garantimit të depozitave” si dhe Direktiva 2014/59/BE “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në institucionet financiare”.
Duke vlerësuar ndikimin dhe rëndësinë që këto ndryshime kanë për vijimësinë e procesit të përputhshmërisë, në datën 17 shtator 2024, ASD në bashkëpunim me zyrën FinSAC të Bankës Botërore organizoi një takim informativ me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme për Stabilitetin Financiar, Shërbimet Financiare dhe Unionin e Tregjeve të Kapitalit (DG FISMA), i cili është departamenti përgjegjës i Komisionit Evropian për politikat e BE-së për shërbimet financiare. Përfaqësuesi i DG FISMA ofroi një panoramë të kontekstit në të cilin janë propozuar ndryshimet e pritshme në kuadrin ligjor të BE-së për menaxhimin e krizave financiare dhe skemat e sigurimit të depozitave. Takimi u fokusua gjithashtu në përshtatshmërinë e këtyre ndryshimeve dhe përputhshmërinë e tyre me kuadrin ligjor dhe rregullativ për sigurimin e depozitave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në Republikën e Shqipërisë.
Duke qenë se ndryshimet e pritshme në Direkivat e BE-së prekin dhe çështje që lidhen me mekanizmin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme si dhe në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Bankën e Shqipërisë, në takim merrnin pjesë dhe zyrtarë të Departamentit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.