Në datën 25 mars 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë. Java e Parasë është një festë mbarëbotërore, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.
Ky aktivitet organizohet nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 2019 u përshëndet nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zj. Lorena Haxhiu, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbështet këtë aktivitet në forma të ndryshme, prej katër vitesh tashmë: si nëpërmjet çmimeve të ofruara për fituesit e konkurseve, por dhe nëpërmjet leksioneve të hapura në Universitetet Publike të vendit. Kjo jo vetëm për rëndësinë e madhe që ky event përfaqëson në edukimin e brezit të ri, por dhe për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të tyre me skemën e sigurimit të depozitave në Shqipëri.
Gjatë kësaj jave do të organizohen aktivitete të larmishme edukative sipas një programi tepër interesant e tërheqës që synon përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh, të gjitha këto nën moton e përzgjedhur për këtë vit: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”.