03/21/2019

Njoftim mbi vizitën në Fondin e Sigurimit të Depozitave të Malit të Zi

Më datë 15 mars 2019, përfaqësues të stafit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i saj, zhvilluan një vizitë pune në Fondin e Sigurimit të Depozitave të Malit të Zi.

Qëllimi i vizitës së punës ishte përfitimi nga eksperienca më e fundit që homologët e Malit të Zi kishin patur në lidhje me kompensimin e një banke të vënë në likuidim të detyruar, nga Banka Qëndrore e Malit të Zi. Ky ishte kompensimi i parë i realizuar nga Fondi i Sigurimit të Depozitave të Malit të Zi, proces i cili filloi në fund të muajit janar 2019.

Menjëherë me marrjen e njoftimit për ngjarjen e sigurimit, Z. Genci Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, kontaktoi me Z. Predrag Markovic, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Depozitave të Malit të Zi, dhe shprehu gatishmërinë e institucionit për të ofruar mbështetje në realizimin e këtij procesi.

Gjatë kësaj vizite u shkëmbyen eksperienca me punonjësit e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Malit të Zi lidhur me problematikat dhe mësimet e nxjerra nga ky proces. Krahas diskutimit të këtij rasti konkret, u shkëmbyen informacione në drejtim të përgatitjeve për adresimin në kohë të sfidave te mundshme në një ngjarje sigurimi, si edhe marrjen e masave për ndërhyrjen sa më të shpejtë për zgjidhjen e tyre, duke marrë në konsideratë strukturat e ngjashme operacionale të të dy autoriteteve si dhe mjedisin pothuajse të njëjtë financiar.

Drejtuesit e të dy insitucioneve u angazhuan të thellojnë më tej bashkëpunimin dhe veçanërisht në funksion të pjesëmarrjes së ndërsjelltë në situata të mundëshme kompensimi.

Scroll to Top