Data e fillimit: 09/12/2014
Data e mbarimit 11/12/2014
Vendndodhja: Tiranë
Pershkrimi:
Agjencia e Sigurimit të Depozitave organizon Seminarin Ndërkombëtar të Nivelit të Lartë me tematikë “Fondi i Sigurimit të Depozitave: Çështje kryesore, Qasje të ndryshme”.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) organizoi në Tiranë nga data 09 – 11 dhjetor 2014, Seminarin Ekzekutiv “Fondi i Sigurimit të Depozitave: Çështje kryesore, Qasje të ndryshme”.
Gjatë tre ditëve, seminari trajtoi temën e fondeve në dispozicion të skemave të sigurimit të depozitave në juridiksione të ndryshme, si dhe mënyrat për plotësimin e tyre me qëllim sigurimin e depozitave dhe kompensimin e depozituesve, nëse lind nevoja. Seminari adresoi këtë temë përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe diskutimit të metodologjive të ndryshme që sigurues të depozitave aktualisht zbatojnë në vendet e tyre. Në punimet e seminarit pati prezantime nga sigurues që kanë themeluar sigurimin e depozitave si disiplinë të sigurisë financiare, si Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDIC) dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave të Kanadasë (CDIC), si dhe sigurues evropianë me përvojë si Mbretëria e Bashkuar, Polonia dhe Zvicra.
Në fjalën e hapjes të Seminarit, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Z. Toni Gogu, duke i uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve në seminar, renditi çështjet kryesore të cilat do të jenë objekt i diskutimeve gjatë tre ditëve të seminarit. Këto çështje lidhen me (i) fondin optimal në dispozicion të siguruesve të depozitave; (ii) mënyrat e sigurimit të këtyre fondeve; (iii) menaxhimin e fondeve; dhe (iv) krijimin e fondeve rezervë. Z. Gogu vlerësoi rëndësinë e Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) në përcaktimin e standardeve në fushën e sigurimit të depozitave dhe specifikisht mbi çështjen e financimit.
Seminari Ekzekutiv i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave u përshëndet nga Zv. Guvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Znj. Elisabeta Gjoni. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet Znj. Gjoni theksoi rolin e rëndësishëm që luan Agjencia e Sigurimit të Depozitave në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar të vendit, si një nga pjesëmarrësit e rrjetit të sigurisë financiare në vend. Ajo nënvizoi rëndësinë që Banka e Shqipërisë, në cilësinë e Autoritetit Mbikqyrës, i kushton marrëdhënies institucionale me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave duke e mbështetur atë në iniciativa të rëndësishme për të përmbushur me efikasitet misionin e saj.
Seminari u adresua dhe nga Zv. Ministri i Financave, Z. Erjon Luçi. Z. Luçi vlerësoi se Ministria e Financave është e angazhuar dhe plotësisht e ndërgjegjësuar mbi rolin e ASD-së si administratore e skemës se sigurimit te depozitave. Në fjalën e tij Z. Luçi renditi disa nga zhvillimet kryesore të ndërmarra në bashkëpunim midis Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Më të rëndësishmet prej tyre janë negocimi dhe miratimi i marrëveshjes me BERZH për Linjën e Kredisë, e cila përfaqëson një burim alternativ financimi për Agjencinë; si dhe miratimi i Ligjit të ri “Për sigurimin e depozitave”, si rezultat i të cilit janë përmbushur rekomandimet e Misionit FSAP të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në seminar morën pjesë përfaqësues të lartë të 20 institucioneve të sigurimit të depozitave nga e gjithë bota, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Gjermani, Mbretëria e Bashkuar, Kosova, Greqia, Rumania, Korea e Jugut, Malaizia, Filipinet, Zimbabve, etj. Gjithashtu, të ftuar në seminar ishin zyrtarë nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë si dhe përfaqësues nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëria.