Takimi i 6-të rajonal i EFDI Ballkan

Publikuar më: 11-07-2018


Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori pjesë në takimin e 6-të rajonal të EFDI Ballkan, i organizuar nga Fondi i Sigurimit të Depozitave i Malit të Zi, i cili u zhvillua në Kolasin, Mali i Zi nga data 5 deri më 8 korrik 2018. Ky takim në Mal të Zi ndjek një traditë të vazhdueshme takimesh mes autoriteteve të sigurimit të depozitave të rajonit të Ballkanit (Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia), të cilët kanë karakteristika të ngjashme në sistemet e tyre bankare e financiare, me qëllim diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive me njëri tjetrin.

Në këtë takim, pjesëmarrësit ndanë zhvillimet e fundit dhe sfidat e skemave të sigurimit të depozitave respektive. Ndër të tjera, u diskutuan çështje të tilla si procesi i kompnesimit dhe roli i sistemeve IT që e mbështesin atë, ushtrimet e simulimit si teste të rëndësishme për gatishmërinë operacionale të skemës së sigurimit të depozitave, mekanizmat e financimit të sigurimit të depozitave etj.

Forumi Europian i Siguruesve të Depozitave (European Forum of Deposit Insurers-EFDI) është një organizatë europiane e siguruesve të depozitave, në të cilën Agjencia është anëtare, me qëllim kontributin në stabilitetin e sistemeve financiare nëpërmjet bashkëpunimit në nivel europian dhe ndërkombëtar në fushën e sigurimit të depoziave, zgjidhjen e krizave, shkëmbimit të eksperiencave dhe informacioneve etj. EFDI gjithashtu angazhohet në konsultime të instrumentave rregullativë europianë me institucione të Bashkimit Europian, veçanërisht Direktivës për skemat e garantimit të depozitave