Takimi i 3të i Autoriteteve të Sigurimit të Depozitave të Ballkanit – nënshkruhet Marrëveshja Shumëpalëshe e Bashkëpunimit

Publikuar më: 16-03-2016


Në vijim të dy takimeve të mëparshme gjatë vitit 2015 në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë, institucionet e sigurimit të depozitave të Ballkanit, anëtare të Forumit Evropian të Sigurimit të Depozitave u takuan në Zlatibor, Serbi, më 11 Mars 2016. Qëllimi i këtij takimi ishte vazhdimësia e nismave në kuadër të shkëmbimit të njohurive, eksperiencës dhe praktikave më të mira në fushën e sigurimit të depozitave.

Duke synuar ti japin një hov të mëtejshëm bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të ekspertizës, autoritetet e sigurimit të depozitave të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë nënshkruan një Marrëveshje shumëpalëshe Bashkëpunimi.

Marrëveshja ka si qëllim ti mundësojë palëve nënshkruese krijimin e platformave të përbashkëta për të mbështetur interesat e përbashkëta në organizmat ndërkombëtare të anëtarësimit, kontributin e ndërsjellët sa i takon eksperiencës dhe ekspertizës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në rajon. Autoritetet nënshkruese synojnë të realizojnë këto objektiva përmes shkëmbimit të informacioneve në lidhje me situatën në sektorët përkatës financiarë dhe bankarë, pjesëmarrjes në ushtrimet e simulimit të krizave, projekteve të përbashkëta kërkimore, përmirësimit të kuadrit rregullator dhe procedurave, ngritjes së grupeve të ekspertëve, shkëmbimit të personelit dhe organizmit të trajnimeve, etj.

Pjesë e takimit ishin dhe panele diskutimi mbi tema si monitorimi i riskut dhe vlerësimi i primit të sigurimit të depozitave, si dhe financimi dhe administrimi i fondit të sigurimit të depozitave.