Njoftim për shtyp mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, 29 dhjetor 2021 

Publikuar më: 30-12-2021


R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë

GRUPI KËSHILLIMOR I STABILITETIT FINANCIAR 

 

 Tiranë, më 30.12. 2021 

NJOFTIM PËR SHTYP 

Mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, 

29 dhjetor 2021

 ——————————————————————————————————- 

Në datën 29 dhjetor 2021, u zhvillua mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje, e cila u drejtua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH), Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm i AMF-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve. 

Programi i mbledhjes përfshinte vlerësimet më të fundit të autoriteteve të pranishme, mbi zhvillimet në institucionet dhe tregjet që mbikëqyrin. 

Në prezantimin e BSH-së me fokus tek vlerësimi i gjendjes financiare të sektorit bankar, u theksua se gjatë 2021 zhvillimet ishin pozitive, duke reflektuar rezistencën e ekonomisë ndaj ndikimit të pandemisë. Tregjet financiare funksionuan normalisht, ku normat e interesit mbetën në nivele të ulëta dhe treguan luhatshmëri të ulët në lëvizje. Veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua në mënyrë të ndjeshme, në kushtet e rritjes së fortë të depozitave të publikut dhe drejtimit të tyre në investime ndërbankare, tituj dhe kredi. Kreditë me probleme zbritën në rreth 41 miliardë lekë, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë të bjerë në nivelin 6.2% në muajin nëntor. Në rënien e këtij treguesi ka ndikuar edhe rritja e mirë e nivelit të kreditimit. Treguesit e rreziqeve të tregut nuk shfaqën ndryshime te rëndësishme gjatë vitit. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar. Vijimi i përmirësimit të cilësisë së kredisë, edhe disa muaj pas ndërprerjes së masave rregullative mbështetëse të BSH-së, është inkurajues. Megjithatë, gjate vitit 2022 BSH do t’i kushtoje vëmendje të posaçme analizës së kredive me probleme, nëpërmjet veprimeve të dedikuara mbikëqyrëse në sektorin bankar. 

Në kuadër të analizës së rreziqeve sistemike që lidhen me strukturën e ekonomisë, të pranishmit u njohën me një analizë të ndërtuar nga BSH mbi llogaritë financiare kombëtare dhe ndërlidhjen mes sektorëve institucionalë. Ekonomia shqiptare ka një pozicion neto debitor ndaj pjesës tjetër të botës, në kushtet kur detyrimet janë më të mëdha se mjetet. Ky pozicion është ndikuar nga pozicionet neto negative të korporatave jofinanciare (bizneseve) dhe të Qeverise së Përgjithshme, ndërsa pozicionet e ekonomive familjare dhe të korporatave financiare kontribuojnë pozitivisht. Nisur nga kjo strukturë dhe duke vlerësuar flukset e financimit midis sektorëve, mund të ndërtohen tregues të cilët evidentojnë rreziqet që rrjedhin nga pozicionet e sektorëve të caktuar. Më tej, për të kontrolluar këto rreziqe mund të merren masa në kuadër të politikave ekonomike dhe financiare, që synojnë zvogëlimin e pozicioneve neto negative. BSH është duke e zhvilluar këtë analizë jo vetëm për sektorët institucionalë të ekonomisë por edhe për segmentet kryesorë të sistemit financiar. Të pranishmit vlerësuan se bashkëpunimi ndërinstitucional për këtë qëllim do të ishte i dobishëm. 

Përdorimi i tepërt i valutës në ekonomi, jo rrallë edhe si mjet pagese, mbetet një nga burimet e rëndësishme të rrezikut financiar dhe ndikon në uljen e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare. Për këtë arsye, të pranishmit diskutuan rreth nevojës dhe mundësive që masat për uljen e përdorimit të valutave dhe fuqizimin e përdorimit të monedhës kombëtare, aktualisht të përqendruara në sektorin bankar, të shtrihen në mënyrë të kujdesshme edhe në sektorët realë të ekonomisë. Për këtë qëllim, të pranishmit u angazhuan për bashkëpunim ndërinstitucional, i cili mund të mbështetet edhe me ekspertizë nga institucionet financiare ndërkombëtare. 

AMF i njohu të pranishmit me zhvillimet në kuadrin ligjor e rregullativ, si edhe me ecurinë e tregjeve financiare që mbikëqyr ky institucion. Me objektivin për të rritur përputhshmërinë me standardet më të mira të fushës, u evidentua miratimi i disa ligjeve të rëndësishme, ku përfshihen ato ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, “Për tregjet e kapitalit”, “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, “Për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe përgatitja e projektligjit “Për fondet e pensionit privat”. Ka avancuar gjithashtu puna për përgatitjen e bazës nënligjore për këto ligje. Në prezantim u evidentuan zhvillimet në fondet private vullnetare të pensionit, fondet e investimeve dhe tregun me pakicë të letrave me vlerë. Tek ky i fundit, mbizotërojnë transaksionet mes individëve dhe preferenca për titujt afatshkurtër të borxhit të qeverisë. Për tregun e sigurimeve, përfaqësuesit e AMF-së evidentuan rritjen e primeve të paguara bruto gjatë vitit, po edhe rritjen më të shpejtë të dëmeve të paguara. Struktura e tregut mbizotërohet nga sigurimi i detyrueshëm motorik, i cili gjeneron edhe pjesën më të madhe të primeve të shkruara bruto. Në tërësi, edhe këto tregje kanë treguar qëndrueshmëri dhe rritje të mirë të aktivitetit, pavarësisht ndikimit të pandemisë. Në vijim, u diskutua për disa çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional për përmirësimin e funksionimit të këtyre tregjeve. 

Në mbledhjet e GKSF-së marrin pjesë rregullisht edhe përfaqësues të ASD-së. Në këtë mbledhje përfaqësuesit e ASD-së bënë një prezantim të ecurisë së depozitave pranë bankave dhe pranë shoqërive të kursim-kreditit (shkk). Gjatë vitit të kaluar, depozitat e sigurueshme kanë njohur rritje si tek bankat ashtu edhe tek shkk-të. Në total, depozitat e sigurueshme vijojnë të mbizotërohen nga kursimet e individëve dhe shfaqin një epërsi të lehtë të depozitave në valutë. Numri i depozituesve me llogari në lek, mbizotëron në numrin total të depozituesve. Sipas afatit të maturimit, depozitat e sigurueshme të individëve mbizotërohen nga depozitat me afat, ndërsa depozitat e tregtarëve dhe shoqërive tregtare janë të përqendruara tek llogaritë rrjedhëse. Në përputhje me ecurinë e depozitave të sigurueshme, edhe fondi i sigurimit të depozitave ka shënuar rritje gjatë vitit të kaluar. Burimi i financimit të fondit të sigurimit gjatë vitit të kaluar, siç parashikon ligji në situata normale, ishin pagesat e primit të sigurimit nga bankat dhe shkk-të, dhe administrimi i mjeteve financiare nga ASD-ja. Në kushtet e pandemisë dhe nga këndvështrimi i kujdesit, ASD i fuqizoi këto burime me linjën e kredisë të vënë në dispozicion nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të garantuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. 

Pas diskutimit të çështjeve të mësipërme, drejtuesit e institucioneve vlerësuan pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar, në tregjet financiare dhe në kuadrin rregullativ përkatës, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Kjo qëndrueshmëri nuk u cënua nga ndikimi i pandemisë. Drejtuesit e institucioneve theksuan rëndësinë e monitorimit të zhvillimeve financiare, pasi situata ekonomike dhe ajo e shëndetit publik ndeshen me sfida të vazhdueshme. 

Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij. 

 

DSC7456_498_20119

Image 1 of 4