Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 26 Tetor 2023

Publikuar më: 27-10-2023


Në datën 26 Tetor , Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për periudhën e mbyllur më 30 Shtator 2023.

Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për periudhën e mbyllur më 30 Shtator 2023. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për peiudhën e mbyllur më 30 Shtator 2023.

Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për periudhën e mbyllur më 30 Shtator 2023. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e “Raportit të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k. dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. për auditimin e brendshëm të Sektorit të Teknologjisë së Informacionit, për periudhën 1 janar 2023 – 30 shtator 2023” si dhe mbi miratimin e “Raportit të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” shpk dhe “Deloitte Albania” shpk për auditimin e brendshëm të Sektorit të Sigurimit dhe Kompensimit te Depozitave për periudhën 5 dhjetor 2022 – 22 shtator 2023.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi raportin e auditimit të brendshëm të veprimtarisë të Sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Sektorit të Sigurimit dhe Kompensimit të Depozitave për periudhat përkatëse. Shërbimi i auditit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave kryhet nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k. dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (IPPF).

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.