Mbi takimin e punës zhvilluar mes Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK)

Publikuar më: 16-09-2022


Në vijim të bashkëpunimit të konsoliduar mes Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), në datën 14 shtator 2022, pranë selisë së FSDK-së në Prishtinë, u zhvillua një takim pune mes Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i ASD dhe  Znj. Arijeta Neziraj Elshani, Drejtore e Përgjithshme e  FSDK, si dhe stafeve respektive.

Qëllimi i kësaj vizite, ishte diskutimi i çështjeve në lidhje me projektin e Agjencisë për përmirësimin e sistemit të teknologjisë së informacionit në funksion të automatizimit të mëtejshëm të procesit të kompensimit. Aktualisht, Agjencia në bashkëpunim me BERZH, ka nisur punën për përmirësimin e Sistemit Informatik për Raportim dhe Kompensim (SIRK) si dhe zhvillimin e moduleve të reja të cilat do të automatizojnë procesin e kryerjes së kompensimit.

Zhvillimet e reja do të mundësojnë qasjen e Bankës Agjente në sistemin elektronik të Agjencisë me qëllim kompensimin e shpejtë të depozituesve në një ngjarje sigurimi, si dhe evidentimin dhe gjurmimin e pagesës së kompensimit nga Agjencia. Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve do të jetë zhvillimi dhe implementimi i modulit të përpunimit të ankimimeve të depozituesëve për pagesat e kompensimit.

Ky takim shërbeu për shkëmbimin e eksperiencës mes dy institucioneve për praktikat më të mira në lidhje me automatizimin e procesit të kompensimit. Në përfundim të vizitës, të dy institucionet u angazhuan për vazhdimësinë dhe intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet.

1

Image 1 of 4