
Në vijim të bashkëpunimit të konsoliduar mes Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), në datën 14 shtator 2022, pranë selisë së FSDK-së në Prishtinë, u zhvillua një takim pune mes Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i ASD dhe Znj. Arijeta Neziraj Elshani, Drejtore e Përgjithshme e FSDK, si dhe stafeve respektive.
Qëllimi i kësaj vizite, ishte diskutimi i çështjeve në lidhje me projektin e Agjencisë për përmirësimin e sistemit të teknologjisë së informacionit në funksion të automatizimit të mëtejshëm të procesit të kompensimit. Aktualisht, Agjencia në bashkëpunim me BERZH, ka nisur punën për përmirësimin e Sistemit Informatik për Raportim dhe Kompensim (SIRK) si dhe zhvillimin e moduleve të reja të cilat do të automatizojnë procesin e kryerjes së kompensimit.
Zhvillimet e reja do të mundësojnë qasjen e Bankës Agjente në sistemin elektronik të Agjencisë me qëllim kompensimin e shpejtë të depozituesve në një ngjarje sigurimi, si dhe evidentimin dhe gjurmimin e pagesës së kompensimit nga Agjencia. Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve do të jetë zhvillimi dhe implementimi i modulit të përpunimit të ankimimeve të depozituesëve për pagesat e kompensimit.
Ky takim shërbeu për shkëmbimin e eksperiencës mes dy institucioneve për praktikat më të mira në lidhje me automatizimin e procesit të kompensimit. Në përfundim të vizitës, të dy institucionet u angazhuan për vazhdimësinë dhe intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet.