
Më datë 19.05. 2021, me ftesë të Departamentit të Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Financës të Universitetit Marin Barleti, Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë, zhvilloi një leksion të hapur. Ky aktivitet u zhvillua dhe në kuadër të politikave të Agjencisë për promovimin e skemës së sigurimit të depozitave dhe zhvillimin e fushatave promovuese me publikun shqiptar.
Në këtë takim, në të cilin morën pjesë studentë dhe pedagogë të ndryshëm të këtij Universiteti, Z. Mamani prezantoi tiparet kryesore të skemës së sigurimit të depozitave, rolin e Agjencisë si administratore e skemës dhe kontributin që ajo jep për stabilitetin financiar në vend. Z. Mamani theksoi se aktivitete të tilla konsiderohen me rëndësi nga Agjencia sepse ofrojnë një mundësi për të rritur nivelin e njohurive të publikut mbi përfitimet dhe kufizimet e skemës së sigurimit të depozitave, çka është një nga objektivat strategjikë të Agjencisë. Në vijim të leksionit, Z. Mamani iu përgjigj edhe interesit të audiencës, duke shpjeguar me detaje elementë specifikë të funksionimit të Agjencisë.