Finalja Kombëtare e Kuizit të Parasë 2023

Publikuar më: 30-03-2023


Më 30 mars 2023, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), organizoi për herë të pestë Kuizin Evropian të Parasë, ku u regjistruan 926 nxënës të grup moshës 13-15 vjeç nga 89 shkolla nga i gjithë vendi. Konkursi u realizua online dhe u ndoq me interes të lartë, Livestream në kanalin YouTube të AAB-së nga më tepër se 1,700 shikues. Pjesëmarrësit konkurruan nëpërmjet platformës online Kahoot!, të organizuar në 463 ekipe.

Nxënësit pjesëmarrës u përshëndetën nga z. Genci Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, znj. Ledja Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, dhe Sekretari Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli.

Ekipi fitues i finales kombëtare të Kuizit të Parasë 2023 është nga shkolla 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan dhe përbëhet nga nxënësit: Henri Terolli dhe Armi Tafa.

Ekipi fitues i vendit të dytë është nga shkolla “Sotir Gurra” në Korçë dhe përbëhet nga nxënësit: Oresti Çela  dhe Georg Qafzezi.

Ekipi fitues i vendit të tretë është nga shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në Tiranë dhe përbëhet nga nxënësit: Mario Ballo dhe Dart Ymeraj.

Një falënderim të veçantë për mësuesit Albin Malelli, Mitiana Trungu dhe Donika Lici, të cilët mundësuan organizimin dhe përgatitjen e skuadrave fituese.

Skuadra fituese do të konkurrojë duke përfaqësuar Shqipërinë në finalen evropiane të Kuizit të Parasë, e cila do të zhvillohet në Bruksel më 16 maj 2023. Ekipet fituese do të shpërblehet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Banka e Shqipërisë sipas çmimeve të shpallura më parë, kurse pjesëmarrja në konkursin evropian do të mundësohet nga  Raiffeisen Bank.

Falënderojmë të gjithë nxënësit dhe mësuesit për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të këtij konkursi unik kombëtar në fushën e edukimit financiar!

1

Image 1 of 5