Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Korporata Koreane e Sigurimit të Depozitave përfundojnë projektin për krijimin e masterplanit të një sistemi të integruar të sigurimit të depozitave.

Publikuar më: 11-12-2020


Më datë 10 Dhjetor 2020 u zhvillua, nëpërmjet mjeteve të komunikimit online, ceremonia përmbyllëse e projektit për krijimin e masterplanit të një sistemi të integruar për sigurimin dhe kompensimin e depozitave të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Projekti u realizua me asistencën e Korporatës Koreane të Sigurimit të Depozitave, e cila është një nga institucionet më të përparuara në botë në fushën e sigurimit të depozitave. Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Korporata Koreane e Sigurimit të Depozitave kanë pasur gjatë viteve marrëdhënie të konsoliduara dhe intensive bashkëpunimi bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2014 dhe rinovuar në vitin 2019.

Projekti, i cili u shtri në një afat kohor prej 6 muajsh, synoi këshillimin në lidhje me Sistemin Informatik për Raportim dhe Kompensim të Agjencisë. Ai kishte për qëllim analizën e sistemit IT dhe mjedisit të tij egzistues, vlerësimi i ambjentit egzistues për krijimin e modulit për menaxhimin e riskut si edhe përgatitjen e një dizajni të detajuar për përmirësimin dhe krijimin e moduleve të reja për kryerjen e pagesave në një proces kompensimi. Projekti u finalizua me përgatitjen e një modeli të ardhshëm për sistemin dhe planin e tij të zhvillimit.

Me rastin e përfundimit të projektit, drejtuesit e institucioneve shprehën konsideratat dhe vlerësimin e tyre mbi bashkëpunimin ndërinstitucional duke shpresuar në vijueshmërinë e tij dhe në të ardhmen.