Kreu / Per Bankat

Informacione per banka!

Depozitat e individëve të mbajtura në çdo bankë që zhvillon aktivitetin në Shqipëri janë të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD)  në përputhje me ligjin Nr 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”.

Bankat e licensuara nga Banka e Shqipërisë për grumbullimin e depozitave, janë subjekte të cilat kryejnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe zbatojnë juridiksionin shqiptar. Anëtarësimi i tyre ne skeme është i detyrueshëm.

Si anëtare në skemën e sigurimit të depozitave, bankat që anëtarësohen për herë të parë në skemë paguajnë kontribut fillestar dhe më pas primet vjetore për sigurimin e depozitave të depozituesve të tyre. Në rast se një bankë nuk ka mundësi të paguajë depozitat për arsye të cilat lidhen direkt me gjendjen e saj financiare, ASD-ja i kompenson depozituesit duke përdorur këto kontribute, si dhe fitimet nga investimi i tyre.

Për një kompensim të saktë dhe të shpejtë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të sistemit bankar dhe financiar në vend, është shumë e rëndësishme:

1. Hedhja e saktë e të dhënave për depozituesin dhe depozitën:

Regjistrimi i saktë i të dhënave identifikuese të depozituesit (Emër, mbiemër, numër personal, atësia, datëlindja, numër dokument   identifikimi).
Regjistrimi i saktë i të dhënave kontaktuese të depozituesit (Numër telefoni, adresë banimi, adresë email-i).
Regjistrimi i saktë i të dhënave për depozitën (Numri i llogarisë, shuma, norma e interesit të aplikuar, monedha, titullari i  depozitës, numri i titullarëve të depozitës & përqindja e tyre në depozitë).

2.Ndërgjegjësimi dhe informimi i saktë i depozituesit:

Punonjësi i bankës duhet të ndërgjegjësojë klientët e saj në lidhje me rëndësinë e përditësimit të të dhënave të tij, pas çdo ndryshimi të mundshëm.
Punonjësi i bankës duhet të informojë saktë klientët që:
Kufiri maksimal i sigurimit për çdo individ është 2,500,000 lekë, për çdo bankë të sistemit.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucioni i vetëm që siguron dhe kompenson depozitat e individëve në Republikën e Shqipërisë.
Sigurohen të gjitha depozitat e individëve në bankat që ushtrojnë aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Sigurohen individët që kanë depozita në të gjitha bankat anëtare të skemës së sigurimit, rezidentë apo jo rezidentë/shqiptarë apo të huaj.
Depozituesit që ka më shumë se një depozitë/llogari i mblidhen të gjitha depozitat/llogaritë që ka në një bankë dhe sigurohet e kompensohet deri në 2,500,000 lekë.
Depozitat e përbashkëta ndahen sipas numrit të pronarëve të tyre dhe sigurohet pronari/depozituesi deri në 2,500,000 lekë.
Të gjitha depozitat e individëve në një bankë si në lekë dhe në monedhë të huaj sigurohen. Kompensimi i tyre bëhet në lekë.

Mënyra e përllogaritjes së primit tremujor

Primi për periudhën e marrë si shembull 1 janar 2016 – 31 mars 2016:

Hapi i parë: përllogaritet mesatarja aritmetike e shumës së depozitave të siguruara:

Shënojmë me

  • “MMMdh” – shumën e depozitave të siguruara në lekë për secilën ditë të fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm (Tetor, Nëntor, Dhjetor 2015).
  • A – mesatarja aritmetike e shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në Bankë për secilën ditë të fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
Hapi i dytë: llogaritja e shumës së primit të parë tremujor P1 (ku 0,125% është norma e primit tremujor)

A × 0.125 ÷ 100 = P(lekë)

Ky prim paguhet brenda datës 15 janar.
Përllogaritja e shumës të depozitave të siguruara kryhet në përputhje me aneksin 11 “ Vlerësimi i shumës së depozitave të siguruara ” të Udhezimit “Për sigurimin e depozitave në banka”, të cilin e gjeni në seksionin Baza Ligjore .
Vlerësimi i shumës së depozitave të siguruara
Banka, në vlerësimin e shumës së depozitave të siguruara, përcakton depozitat e individëve që janë subjekt i skemës, në përputhje me nenin 3 “Përkufizime” pika 13, 14, 15, nenet 26, 31 32 dhe 33 pika 1, shkronja “a” të ligjit.

Rasti i parë:

Depozituesi ka vetëm një depozitë individuale në lekë:
Në qoftë se kjo depozitë është më e vogël, se 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë, ajo sigurohet e plotë (përfshihet interesi ditor i llogaritur në ditën e vlerësimit të primit);
në qoftë se është më e madhe se 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë, sigurohet pjesa deri në nivelin 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë.


Depozituesi ka disa depozita individuale, të cilat janë në lekë dhe në monedhë të huaj. Depozitat në monedhë të huaj konvertohen në lekë sipas kursit zyrtar të Autoritetit Mbikëqyrës në ditën e vlerësimit, dhe më pas të gjitha depozitat agregohen. Shuma e gjetur nga agregimi, krahasohet me nivelin 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë dhe sigurohet pjesa e depozitës deri në nivelin e mbulimit.


Depozituesi ka disa depozita individuale dhe një ose më shumë depozita të përbashkëta me të drejta të plota. Në këtë rast bashkohen të gjitha depozitat individuale duke shtuar edhe pjesën koresponduese të depozitës të përbashkët, e cila ndahet në pjesë të barabarta midis titullarëve të saj, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në kushtet e vendosjes së depozitës.

Për konkretizim, në rast se një depozitues ka një depozitë të përbashkët me një të afërmin e tij, një depozitë individuale dhe një tjetër të përbashkët me dy persona të tjerë ose më shumë, atëherë ky depozitues është disponues i gjysmës së shumës së depozitës që ka me të afërmin e tij, i depozitës individuale dhe i një të tretës së depozitës së përbashkët me personat e tjerë, ato bashkohen dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.

Rasti i dytë:

Depozituesi ka depozitë të vendosur si garanci për një person të tretë. Në këtë rast e drejta për sigurim të depozitës i njihet titullarit të depozitës.
Në rast se depozituesi ka edhe depozita të tjera në bankë këto agregohen me depozitën e vendosur si garanci dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë.

Rasti i tretë:

Depozituesi ka depozitë të vendosur me kusht ose me afat në përfitim të një personi të tretë, të drejtat për sigurim të depozitës i njihen titullarit të depozitës deri në plotësimin e afatit ose kushtit përkatës. Në të kundërt, e drejta për sigurim i takon përfituesit të depozitës. Në rastin e depozitës të vendosur në përfitim të një treti pa kusht ose afat, e drejta për sigurimin e depozitës i njihet këtij të fundit. Në rastin e depozitës së vendosur në përfitim të më shumë se një personi të tretë, zbatohen rregullat e parashikuara për depozitat e përbashkëta me të drejta të plota. Në këtë rast zbatohet agregimi dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekë.

Sistemi qëndror për mbledhje dhe raportim të të dhënave ka si objektiv kryesor qëndërzimin e informacionit elektronik të raportuar në ASD nga Bankat, përllogaritjen e primit vjetor për secilën Bankë dhe kompensimin e shpejtë dhe efektiv në rast zgjidhjeje të një Banke. Ky projekt është mundësuar me anë të një granti të BERZH dhe kontributit të FSVC, përmes ekspertëve të nivelit të lartë FDIC, për hartimin e termave të referencës dhe vlerësimit të ecurisë së tij. Në përputhje me planin e projektit, ndërtimi i tij filloi në muajin korrik 2013 dhe përfundoi me sukses ne gusht 2014, duke u përdorur për herë të parë nga Bankat për përllogaritje primi në muajin tetor të vitit 2014.
Funksionet Kryesorë të Sistemit
Sistemi informatik i Agjencisë dhe raportimi i të dhënave në të nga bankat funksionon në mënyrë të tillë që të sigurojë:

Gadishmërinë e të dhënave në çdo kohë për identifikimin e depozituesit në mënyre unike në sistem nëpërmjet të dhënave personale të një personi konkret, ku përcaktohet saktë shuma që banka i detyrohet këtij depozituesi, të cilën edhe e siguron pranë Agjencisë.
Përqendrimin e informacionit lidhur me depozitat dhe depozituesit, mbi baza individuale dhe/ose të agreguara.
Vlerësimin e saktësisë së të dhënave personale të depozituesve në regjistrat elektronikë të subjekteve.
Vlerësimin e saktësisë të përllogaritjes të shumës së siguruar.
Vlerësimin e saktësisë të përllogaritjes të primit periodik.
Mundësinë e qasjes së menjëhershme tek të dhënat mbi depozitat dhe depozituesit për të kryer vlerësimin e saktë të shumës së kompensimit në rast simulimi ose ngjarjeje sigurimi.
Përmbushja e kushteve dhe parametrave të raportimit edhe nga palët e treta të cilat u ofrojnë shërbime bankave anëtare për përmbushjen e kërkesave të këtij udhëzimi dhe në zbatim të ligjit për sigurimin e depozitave.
Përdorimin dhe/ose publikimin e informacioni nga Agjencia për qëllime studimore dhe vlerësimit dhe administrimit të rrezikut të sigurimit të depozitave.

Rregullat e Raportimit Elektronik
Për qëllim të përllogaritjes të shumës së sigurimit bankat ngarkojnë, çdo muaj brenda datës 10 të muajit pasardhës, skedarët me të dhëna mbi:

Depozitat – të dhënat e llogarive të lidhura me depozitat individuale në bankë.
Depozituesit – të dhënat e detajuara të depozituesit që e identifikojnë saktësisht atë.

Për çdo tremujor brenda datës 10 të muajit pasardhës të tij, banka raporton në Agjenci primin e përllogaritur për çdo depozitues dhe ngarkon skedarin përkatës në sistem.

Në rast procesi kompensimi ose simulimi, bankës do t’i kërkohet të ngarkojë skedarë ditorë me të dhëna mbi:

Depozitat – të dhënat e llogarive të lidhura me çdo depozitë individuale në bankë.
Depozituesit – të dhënat e detajuara të depozituesëve që i identifikojnë ata saktësisht.
Kreditë – Kreditë e detajuara të lidhura me depozitat që janë vënë si garanci për këto kredi.
Pozicioni i netuar i depozituesëve – depozituesit në pozicionin e netimit.

Në qoftë së datat e raportimit përkojnë me ditët e pushimit zyrtar, ai kryhet në ditën vijuese të punës. Gjithashtu, Agjencia ka të drejtë të kërkojë raportim nga bankat në çdo moment për qëllime të veçanta dhe të paparashikuara me qëllim zbatimin e objektivave publikë të veprimtarisë së saj.

Formulari i kërkesës për përdorues

Shkarko Dokumentin!

Udhëzimi për Sigurimin e Depozitave në Banka

Shkarko Dokumentin!

Formati i skedarit neto të klientëve

Shkarko Dokumentin!

Agjencia kryen verifikime në të gjitha bankat të paktën një herë në vit, për çështjet e mëposhtme:

Saktësia e llogaritjes së primit të sigurimit/metodologjia e përdorur nga banka
Gatishmëria e sistemit informatik të bankës/paraqitje unike e depozituesit (scv)
Saktësia e mbajtjes në sistem të të dhënave të depozituesit dhe depozitës
Ndërgjegjësimi dhe informimi i publikut
Njohuritë e punonjësit të bankës për ligjin “Për sigurimin e depozitave”
Raportet e kontrollit të brendshëm, me fokus zbatimi i kërkesave të ligjit “Për sigurimin e depozitave”, etj..List item

Material trajnues per banka

Shkarko Dokumentin!

Scroll to Top