Agjencia e Sigurimit të Depozitave, bazuar në rekomandimin e lënë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe në përputhje me iniciativat e parashikuara në Planin Strategjik për vitet 2018-2020, ka ndërmarrë projektin për vlerësimin e efektivitetit të planifikimit të treguesve financiare të skemës dhe fondeve të sigurimit të depozitave. Konkretisht, Agjencia kryen një vlerësim çdo 5 vjet mbi përshtatshmërisë e niveleve maksimale të mbulimit me kushtet socio-ekonomike të vendit dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare, si dhe rishikimin e primit të sigurimit të paguar nga Bankat.
Për këtë qëllim, në muajin Dhjetor filloi zbatimi i projektit për vlerësimin e përshtatshmërisë së treguesve të skemës i cili është pjesë integrale e iniciativës strategjike për vlerësimin e efektivtetit të skemës së sigurimit të depozitave dhe do të realizohet me mbështetjen e asistencës teknike të FinSAC (Financial Sector Advisory Center) të Bankës Botërore. Objektivat kryesore të këtij projekti janë modelimi i planifikimit financiar të fondeve të sigurimit të depozitave për të mundësuar planifikimin financiar të këtyre fondeve, si dhe të instrumenteve të tyre siç janë shuma e mbulimit dhe primi i sigurimit, në funksion të përmbushjes së objektivit parësor të Agjencisë që është kompensimi i depozitave të siguruara në Banka dhe SHKK. Për këtë qëllim, do të kryhet vlerësimi i përshtatshmërisë dhe impakti i treguesve financiarë kryesorë të fondit, si shuma e mbulimit dhe primi i sigurimit të depozitave, si dhe vlerësimi i përshtatshmërisë së fondit të sigurimit të depozitave dhe aftësisë paguese të tij dhe hartimi i modelit të planifikimit financiar për fondin e kompensimit të depozitave.
Rezultat i këtij projekti, i cili pritet të propozohet në javët në vijim, do të jetë zhvillimi i nje modeli të përshtatshëm për planifikimin e treguesve financiarë në Agjenci për të përcaktuar nivelin e treguesit të synuar të aftësisë paguese të fondit, vlerësimin e përshtatshmërisë së fondit të kompensimit të depozitave dhe komponentëve kryesorë të tij.