Agjencia e Sigurimit të Depozitave zhvilloi në datat 21 – 28 Shtator 2018 një ushtrim simulimi me objekt procesin e kompensimit të depozitave të siguruara.
Aktivitetet kryesore që u simuluan në këtë ushtrim të rradhës ishin kryerja e pagesave sipas listë – pagesës së kompensimit të përgatitur nga “likuidatori”, gatishmëria operacionale dhe proceduriale e Bankës Agjente për kryerjen e pagesës së kompensimit, si edhe gatishmëria e faqes zyrtare të internetit të Agjencisë si një nga kanalet kryesore të informacionit dhe komunikimit me publikun e gjerë dhe depozituesin në veçanti.
E veçantë e këtij simulimi të rradhës ishte pjesëmarrja ndërinstitucionale për zhvillimin e tij, konkretisht morën pjesë aktive Banka e Shqipërisë, Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK) në rolin e vëzhgueseve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë me të cilin ASD ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, Banka Kombëtare Tregtare në rolin e Bankës Agjente, Banka Credins e përzgjedhur nga Agjencia si Banka që simuloi përgatitjen dhe raportimin e listë – pagesës për kompensim me paraqitjen unike të depozituesve si dhe subjektet mbështetëse që Agjencia ka në dispozicion për mirëmbajtjen e Sistemit Informatik për Raportim dhe Kompensim (SIRK-ut) dhe faqes web të Agjencisë.
Natyrisht, në këtë ushtrim simulimi u përfshinë të gjithë sektorët e Agjencisë të cilët përveç roleve sipas funksioneve përkatëse kryen edhe role të veçanta të parashikuara në skenarin e simulimit.
Në mënyrë të përmbledhur ky ushtrim simulimi kishte për qëllim:
- Trajnimin dhe testimin e stafit të Agjencisë për kryerjen e një procesi kompensimi;
- Testimin e gatishmërisë teknike si dhe konsolidimin e procedurave operacionale të Agjencisë për një proces kompensimi;
- Testimin e gatishmërisë së bankës së simuluar në likuidim dhe bankës agjente për kryerjen e pagesave për kompensimin e depozitave të siguruara.
Më tej, ushtrimi i simulimit synoi identifikimin e çështjeve me të cilat njësitë përgjegjëse do të ndeshen në rast të një ngjarje sigurimi si dhe përfitimin e përvojës së nevojshme për zhvillimin e ushtrimeve të ngjashme të simulimit, si një mjet për rritjen e gadishmërisë institucionale për të përballuar sfida nga më të ndryshmet në përmbushje të misionit të Agjencisë. Ky simulim ishte gjithashtu një mjet shumë i mirë për të praktikuar zbatimin e kuadrit ekzistues rregullativ dhe operacional për menaxhimin e krizave, si dhe ndihmoi duke theksuar dhe një herë rëndësinë e zhvillimit të frymës së bashkëpunimit dhe punës në skuadër, elementë të domosdoshëm në administrimin e një ngjarje sigurimi.
Në këtë kuadër, për Agjencinë dhe strukturat organizative të saj, ky simulim ishte mjaft i vlefshëm pasi u nxorrën mësime dhe u zhvilluan diskutime mbi gjetje konkrete, të cilat vlerësohen se do të përmirësojnë aftësitë institucionale të Agjencisë dhe rrisin gatishmërinë e saj për t’u përgjigjur me efektivitet situatave të mundshme në një ngjarje sigurimi.









