10/30/2026

Agjencia e Sigurimit të Depozitave në Konferencën Vjetore të IADI-t në Berlin

Transformimi dixhital i shërbimeve financiare dhe ndikimi i tij në mbrojtjen e depozituesve janë në fokus të Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), e cila po zhvillohet në Berlin, Gjermani. Me temë “Forcimi i rrjetit të sigurisë financiare në epokën dixhitale”, konferenca mbledh përfaqësues të institucioneve të sigurimit të depozitave dhe autoriteteve financiare nga vende të ndryshme të botës. Në këtë aktivitet Agjencia e Sigurimit të Depozitave përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm Z. Mina Kusta dhe Zëvendësdrejtorët e saj Z. Martin Blushi dhe Znj. Pamela Qirko.

Diskutimet në këtë aktivitet përqendrohen në sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi dixhital për sistemet e sigurimit të depozitave, mbrojtjen e depozituesve dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin financiar. Në veçanti, trajtohen qartësia mbi produktet financiare dhe mbulimin nga skema e sigurimit të depozitave, ndërgjegjësimi i publikut, si dhe përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe i shpejtësisë së kompensimit të depozituesve në rast të falimentimit të një banke.

Gjatë punimeve të konferencës, delegacioni i Agjencisë zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me drejtues të skemave të sigurimit të depozitave të vendeve të tjera, ndër të cilat edhe me Presidentin e IADI-t dhe Kryetarin e Këshillit Ekzekutiv, Z. Alehandro Lopez, Drejtor i Përgjithshëm i skemës së sigurimit të depozitave të Argjentinës (SEDESA). Në takimet e zhvilluara u diskutua mbi zhvillimet e fundit në kuadrin ligjor dhe institucional të sigurimit të depozitave në Shqipëri, në kuadër të procesit të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe për një angazhim më aktiv të Agjencisë në veprimtaritë e Shoqatës.

Pjesëmarrja e Agjencisë në këtë konferencë dhe takimet e zhvilluara gjatë saj përbëjnë një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, forcimin e marrëdhënieve me institucionet homologe dhe njohjen me zhvillimet më të fundit në fushën e sigurimit të depozitave. Këto diskutime dhe përvoja kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit dhe kapaciteteve të Agjencisë, në funksion të misionit të saj për mbrojtjen e depozituesve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Scroll to Top