Agjencia në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm me anëtarët e skemës së sigurimit të depozitave me synimin për të përmbushur me sukses mandatin e saj për kompensimin efikas të depozituesve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar, ka kryer takime rajonale me punonjësit e degëve të bankave si edhe shkk-ve në Fier, Berat, Lushnje, Gjirokastër, Sarandë, Shkodër dhe Lezhë. Objekti i takimeve dhe tematikat e trajtuara lidhen me ndërgjegjësimin e punonjësve të bankave/shkk-ve për rolin e tyre të rëndësishëm në mirëfunksionimin e skemës së sigurimit të depozitave, duke qenë të mirinformuar për tiparet e skemës si dhe duke informuar depozituesit përkatësisht sa i takon përfitimeve që burojnë nga skema e sigurimit të depozitave. Në këto takime është theksuar roli i punonjësve të bankës në aktivitetin e përditshëm për hedhjen e plotë dhe të saktë të të dhënave për depozituesin dhe depozitën, për standardizimin e mbajtjes së të dhënave për depozitat e sigurueshme; paraqitjen unike të depozituesve (SCV); simulimet teknike si edhe informimin e saktë të depozituesit për sigurimin dhe kompensimin e depozitave. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit që kanë punonjësit e bankës agjente në një ngjarje sigurimi për kryerjen e shpejtë dhe të saktë të procesit të pagesave për kompensim, si edhe për informimin e saktë të depozituesit për procesin e kompensimit të depozitave.
Në kuadër të ndërgjegjësimit të vazhdueshëm për rreziqet kibernetike dhe në koordinim me fushatën ndërgjegjësuese të Shoqatës Shqiptare të Bankave “Rreziku kibernetik – një sfidë e vazhdueshme”, e cila zhvillohet gjatë muajit tetor që është përcaktuar si Muaji i Sigurisë Kibernetike, pjesë e temave për diskutim ishte dhe rëndësia për forcimin e angazhimit tonë të përbashkët ndaj sigurisë kibernetike dhe ruajtjen e infrastrukturës dixhitale. Në prezantimet e ofruara për audiencën si dhe në diskutimet pasuese u theksua më tej vëmendja dhe kujdesi që duhet treguar ndaj kërcënimeve të ndryshme kibernetike, duke qenë se është e domosdoshme që të qëndrojmë vigjilentë dhe proaktivë në ruajtjen e sigurisë së informacionit ndaj këtyre kërcënimeve keqdashëse.
Sipas planit të miratuar, këto takime do të vijojnë edhe me përfaqësues të bankave dhe shkk-ve në qytete të tjera si, Korça, Pogradeci, etj., duke mbuluar në këtë mënyrë pothuajse të gjithë qendrat e mëdha urbane në Shqipëri, ku vlerësohet se është edhe përqendrimi më i madh i degëve të institucioneve financiare pjesë e skemës së sigurimit të depozitave dhe si rrjedhojë dhe i depozituesve.


