09/12/2024

Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkruan kontratën me Bankën Kombëtare Tregtare sh.a, e përzgjedhur si bankë agjente në listën paraprake për periudhën 2024-2026

Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka nënshkruar në datën 11.09.2024 kontratën me Bankën Kombëtare Tregtare sh.a, e cila është pëzgjedhur si bankë agjente në procedurën e zhvilluar për këtë qëllim, në kuadër të zbatimit të rregullores “Për kompensimin e depozitave të siguruara”, miratuar me urdhër të Guvernatorit nr. 3762, datë 18.07.2016, të ndryshuar. Nga kjo procedurë, me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave nr. 18, datë 30.07.2024, janë përzgjedhur katër banka agjente, si vijon: Banka Kombëtare Tregtare sh.a, Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a, Banka OTP Albania sh.a dhe Banka Credins sh.a.

Banka agjente është një nga elementët thelbësorë për realizimin me sukses të një procesi kompensimi, në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë. Banka agjente garanton kryerjen e pagesave të kompensimit në emër dhe për llogari të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Procesi i përzgjedhjes së Bankës Agjente kalon në dy faza. Faza e parë është vlerësimi i bankave anëtare të skemës, sipas kritereve të përgjithshme dhe teknike të miratuara në rregulloren “Për kompensimin e depozitave”. Kjo fazë u mbyll me përzgjedhjen dhe nënshkrimin e kontratës me këto katër banka. Në vijim të përzgjedhjes në listën paraprake, bankat agjente do të jenë pjesë e ushtrimeve të simulimit, si dhe të trajnimeve të posaçme për të realizuar me sukses një proces të pagesave për kompensimin e depozituesve.

Ndërsa, faza e dytë përfshin vlerësimin e ofertave ekonomike nga bankat e përzgjedhura në listën paraprake për kryerjen e procesit të kompensimit, në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemë së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar nga Banka e Shqipërisë.

Scroll to Top