09/03/2024

Njoftim mbi takimet e përbashkëta të Grupit të Stres Testeve, Komitetit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Nëngrupit të Komunikimit Ndërkufitar të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI)

Të enjten, më 29 gusht dhe të premten, më 30 gusht 2024, Agjencia Shqiptare e Sigurimit të Depozitave (ASD) mikëpriti në Vlorë një aktivitet dy ditor të suksesshëm dhe gjithëpërfshirës të Grupeve të Punës të EFDI, më specifikisht të Grupit të Punës për realizimin  e Stres Testeve (GPST), Komitetit të Marrëdhënieve me Publikun (KMP) dhe Nëngrupit të Komunikimit Ndërkufitar (NKD).

Në ditën e parë, që iu kushtua punimeve të GPST, takimin e hapi Z. Genci Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i ASD dhe drejtuesi i GPST, Z. Jose Maria Fernandez (FGD, Spanjë).

Mbledhja vijoi me një prezantim i të detajuar në lidhje me aplikimin e stres testeve nga ASD, nga Z. Arben Beja (ASD), dhe vazhdoi me prezantimin Z. Cătălin Dan dhe Z. Virgil Ion (FGDB, Rumani), të cilët ndanë me audiencën aspekte që lidhen me vazhdimësinë e biznesit dhe sigurinë kibernetike në FGDB Rumani.

Kolegët nga EdB Gjermani, Z. Martin Boegl dhe Znj. Juliane Seiter prezantuan përvojën e tyre në lidhje me ndërtimin e skenarëve të stres testeve, duke përdorur sfidat e botës reale; ndërsa Znj. Marija Hrebac, (HAOD, Kroaci) ndau përvojat e fundit të stres testeve të kryera nga skema kroate e sigurimit të depozitave, duke u përqendruar tek një element thelbësor për skemat e sigurimit të depozitave, siç është paraqitja unike e depozituesve.

Sesioni përfundoi me një diskutim të hapur  midis të pranishmëve, në të cilin u ndanë pikëpamjet e anëtarëve mbi fushat përkatëse të stres testeve si dhe nga fjalët përmbyllëse të Z. Genci Mamani, Z. Jose Maria Fernandez dhe Z. Carlos Colao (Sekretar i Përgjithshëm i EFDI-t).

Dita e dytë iu kushtua komunikimit. Pas një mesazhi përshëndetës nga Z. Genci Mamani dhe drejtuesja e KMP, Znj. Sylvie Godron (FGDR, Francë), aktiviteti vijoi i ndarë në 4 seksione të ndryshme.

Seksioni i parë lidhej me metodat e komunikimit, mjetet dhe planet e veprimit përgjatë aktivitetit të përditshëm, gjatë të cilit Z. Martin Blushi (ASD) i prezantoi audiencës  kanalet e komunikimit  dhe veçoritë kryesore të faqes së re të internetit të ASD. Në vijim, Znj. Jelena Petroviç prezantoi programet e ndërgjegjësimit të të rinjve të zhvilluara nga Agjencia për Sigurimin e Depozitave të Serbisë. Sesioni vazhdoi, me znj. Sylvie Godron, e cila ndau programin dhe platformën e-leaning të bërë nga FGDR dhe rishikimin e anketave të ndërgjegjësimit të publikut të kryera.

Seksioni i dytë u përqendrua në përvojat konkrete të kompensimit dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme si dhe gatishmërinë ndaj krizave. Ky sesion u hap nga Z. Filip Dutkowski (BFG, Poloni), i cili ndau zhvillimet më të fundit në çështjen e Getin Noble Bank, i ndjekur nga Z. Robert Meulenbroek (DNB, Hollandë), i cili foli për përvojën e suksesshme të komunikimit në lidhje me rastin e likuidimit të Amsterdam Trade Bank.

Në vijim, Znj. Sylvie Godron foli rreth komunikimit në lidhje me marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara në kuadër të Marrëveshjes Shumëpalëshe Ndërkufitare të BE-së. Seksioni i tretë u fokusua në praktikat e reja dhe inovacionin. Z. Filip Dutkowski (BFG, Poloni) ndau me audiencën aspekte të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun në rastin e ndryshimit të strukturave drejtuese të BFG; ndërsa në vijim, Znj. Sylvie Godron dhe Z. Carlos Colao prezantuan praktikat e mediave sociale ndërmjet FGDR dhe Sekretariatit të EFDI-së gjatë Mbledhjes Vjetore të fundit të EFDI organizuar nga FGDR në Nice, Francë. Seksioni i tretë, vijoi me prezantimin nga Z. Carlos Colao i zhvillimeve të fundit të kryera në EFDI sa i takon komunikimit dhe në veçanti, ne lidhje më veçoritë kryesore të faqes së re të internetit të forumit. Në përfundim, pjesëmarrësit në takim diskutuan mbi aktivitetet specifike të institucioneve anëtare të KMP si dhe hapat e mëtejshëm të KMP.

Dita përfundoi me një përditësim të aktiviteteve nga Z. Robert Meulenbroek, drejtues i Nëngrupit të Komunikimit Ndërkufitar dhe me fjalën mbyllëse të Z. Genci Mamani.

EFDI dhe ASD dëshirojnë të shprehin vlerësimin e tyre për drejtuesin e GPST, Z. Jose Maria Fernandez, Znj. Sylvie Godron drejtuese KMP, dhe Z. Robert Meulenbroek drejtues i NKD, si dhe për të gjithë prezantuesit dhe pjesëmarrësit, të pranishëm fizikisht apo on-line për kontributin e tyre të çmuar dhe pjesëmarrjen aktive.

Gjithashtu, EFDI dëshiron të falënderojë sërish ASD dhe në veçanti Z. Genci Mamani dhe gjithë ekipin e tij për mikëpritjen e këtij aktiviteti të jashtëzakonshëm dhe për organizimin e shkëlqyer.

Për çdo informacion shtesë, ju lutemi kontaktoni sekretariat@efdi.eu.

Scroll to Top