Në datën 30 Korrik 2024, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:
- Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 qershor 2024.
Këshilli Drejtues, bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 qershor 2024. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).
- Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e mbyllur 31 mars 2024.
Këshilli Drejtues, bazuar në nenin 43 pika 1, shkronja “m/l” të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” të ndryshuar, në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 1 dhe pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, të ndryshuar dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 qershor 2024. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).
- Mbi përzgjedhjen e bankave agjente në listën paraprake për periudhën 2024-2026.
Këshilli Drejtues, bazuar në nenin 39 pika 5 dhe nenin 42 pika 7 të ligjit nr.53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, në nenin 22, pika 1, shkronja “a”, në nenin 23, pika 1, në nenin 24, pika 4, pika 5 dhe pika 6, si dhe në nenin 25 të Rregullores nr. 3762, datë 18.7.2016 “Për kompensimin e depozitave të siguruara”, të ndryshuar, të pikës II të Vendimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nr. 2680, datë 20.06.2024 “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në Rregulloren nr. 3762, datë 18.07.2016 “Për kompensimin e depozitave të siguruara””, si dhe të nenit 18 të Rregullores të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, miratoi përzgjedhjen e bankave anëtare të skemës së sigurimit të depozitave si banka agjente për periudhën 2024 – 2026. Banka agjente ka rëndësi thelbësore në procesin e kompensimit, sepse do të jetë ajo që do të kryejë pagesat e kompensimit të depozitave në emër dhe për llogari të Agjencisë në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë (Autoriteti Mbikëqyrës).
Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.