Në kuadër të fushatës së edukimit financiar të brezit të ri, përfaqësues të ASD-së zhvilluan një leksion të hapur me studentë të Albanian University. Studentet që ndoqën leksionin e hapur ishin të programeve: Master Shkencor Administrim Biznesi, Master Shkencor Menaxhim Bankat, Master Shkencor Administrim Publik, Politika Publike dhe Qeverisje.
Leksionin e hapi As.Prof.Dr. Manuela Mece. Ndër të tjera, Znj. Mece tha që qëllimi i këtij aktiviteti është të afrojë dhe të përfshijë studentët e shkencave ekonomike me veprimtarinë dhe funksionet e institucioneve publike financiare dhe në rastin konkret me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, institucioni që administron skemën e sigurimit të depozitave në vend.
Përfaqësuesit e agjencisë theksuan se ASD si një nga institucionet e rrjetit të sigurisë financiare në vend, i kushton një vëmendje të madhe informimit dhe edukimit të këtij target grupi, jo vetëm për transmetimin e njohurive bazë por edhe më tej, për të kuptuar si funksionon skema e sigurimit të depozitave dhe ndikimi i saj në tregun bankar dhe në stabilitetin financiar në vend.
Leksioni me temë “Skema e sigurimit të depozitave në Shqipëri, ASD, roli dhe funksionet e saj” prezantoi audiencën me skemën sigurimit të depozitave në Shqipëri, përfitimet dhe kufizimet e saj, rolin dhe funksionet e ASD-së si i vetmi institucion që siguron depozitat dhe kompenson depozituesit e subjekteve anëtare të skemës (bankave/shkk-ve) në rast likuidimi të detyruar.
Pjesëmarrja aktive e studentëve në leksion si dhe interesi i shfaqur nga studentët në formën e pyetjeve dhe komenteve gjatë prezantimit ishte shumë i madh.