Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

06/11/2021

BERZH 100 milionë Euro kredi për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave në Shqipëri. Fuqizim i sektorit financiar në vijim të pandemisë Covid-19

  • BERZH do të sigurojë 100 milionë Euro kredi për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave
  • Promovimi i stabilitetit financiar dhe sigurisë në sektorin bankar pas Covid-19
  • Bashkëpunim teknik për të fuqizuar kapacitetet operacionale dhe mirë-qeverisjen e ASD

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ofrojë një linjë kredie prej 100 milionë Euro për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave që do të ndikojë në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe sigurisë së klientëve.

Huaja e garantuar plotësisht nga qeveria shqiptare do të ofrojë likuiditetin e nevojshëm për të adresuar pasojat potenciale të pandemisë Covid-19 në ekonomi. Fondet do të jenë të disponueshme, nëse do të nevojiten, për të kompensuar depozituesit e siguruar dhe ruajtur besimin e klientëve banka private dhe tregtare të ASD.

Presidentja e BERZH Odile Renaud-Basso tha: “Jemi shumë të lumtur të nënshkruajmë këtë marrëveshje sot, që simbolizon një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e sektorit financiar në Shqipëri dhe dëshmon për angazhimin e BERZH. Ne jemi të vendosur të mbështesim Shqipërinë në rimëkëmbjen e saj si pasojë e ndikimit potencial të pandemisë në ekonomi dhe dëshirojmë ta shohim vendin të rikthehet sa më shpejt tek një rritje e fortë dhe e qëndrueshme. Për këtë është thelbësor, një sektor bankar me stabilitet dhe siguri ku ne jemi plotësisht të angazhuar të kontribuojmë.”

Anila Denaj, Ministre e Financës dhe Ekonomisë tha: “Firmosja e kësaj marrëveshje është përmbyllja e suksesshme e një procesi të gjatë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare, ASD dhe BERZH. Linja e kredisë prej 100 milionë Euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave është një shenjë besimi dhe mbështetjeje e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndaj ekonomisë shqiptare dhe institucioneve të sektorit financiar.”

Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave tha: “Marrëveshja që nënshkruam sot me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është në përputhje me objektivat tanë ligjorë për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të kontribuar në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar. Kjo linjë kredie konsiderohet si një mekanizëm më shumë, i cili shton elementet tona të sigurisë, pasi do të forcojë kapacitetin financiar të skemës së sigurimit të depozitave duke garantuar likuiditetin e nevojshëm në rast të ngjarjeve të sigurimit brenda një kohe shumë të shkurtër. Ajo gjithashtu do të rrisë nivelin e mbrojtjes te depozituesve, si në nivelin e depozitave të siguruara, ashtu edhe në nivelin e institucioneve financiare.

Krahas kësaj, do të mundësohen 270, 000 Euro në formën e një programi të bashkëpunimit teknik të financuar nga Luxembourg ODA Technical Co-operation Fund  që do të rrisin kapacitetet operacionale dhe mirëqeverisëse të ASD-së. Projekti përfshin prezantimin e një sistemi të automatizuar pagesash, modernizimin e sistemit të brendshëm të raportimit dhe vendosjen e themeleve për prezantimin e një modeli të përllogaritjes së primit të bazuar në diferencimin e rrezikut. 

ASD u themelua në vitin 2002 si një institucion publik i pavarur. Misioni i saj është të mbrojë depozituesit individualë dhe të paguajë për depozitat e siguruara në rast  falimenti të bankave me një objektiv gjithëpërfshirës për të rritur stabilitetin në sistemin bankar dhe financiar në Shqipëri. BERZH e ka mbështetur institucionin me financim dhe asistencë teknike për herë të parë në vitin 2013.

BERZH është një investitor lider institucional në Shqipëri. Deri më sot Banka ka investuar mbi 1.5 miliardë Euro në 112 projekte në vend.

Scroll to Top