Në datën 18 prill 2017, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Sipas programit, në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë paraqitën një vlerësim mbi ecurinë financiare dhe rreziqet për veprimtarinë e sektorit bankar mbështetur në të dhënat më të plota të tremujorit të katërt të vitit 2016. Të pranishmit vlerësuan se veprimtaria e sektorit bankar u përshpejtua në vitin 2016, veçanërisht në drejtim të zgjerimit të investimeve në tituj, në produkte bankare dhe në kredi në lekë, duke u mbështetur kryesisht nga rritja e mirë e depozitave dhe e kapitalit. Në terma vjetorë, raporti i kredive me probleme ishte i pandryshueshëm, por gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit ai u përmirësua. Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët, ndërsa ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut është i pranishëm dhe duhet vlerësuar rregullisht. Situata e likuiditetit dhe e kapitalizimit të sektorit bankar vlerësohet e mirë dhe performanca financiare e tij mbeti pozitive, ndonëse në nivele më të ulëta se një vit më parë. Treguesit e provës së rezistencës, tregojnë që qëndrueshmëria e sektorit bankar në kushte normale është e plotë dhe rezistenca e tij ndaj goditjeve të supozuara është e mirë.
Në vijim të diskutimeve të nisura në dy mbledhjet e mëparshme lidhur me nevojën për të forcuar përdorimin e monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar, të pranishmit ritheksuan rëndësinë e këtij procesi për përmirësimin e efektivitetit të politikës monetare dhe uljen e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.
Kompleksiteti i këtij procesi kërkon vendosjen e objektivave realistë dhe afatgjatë, si edhe bashkërendimin në përcaktimin e masave të nevojshme për plotësimin e këtyre objektivave në sistemin financiar dhe në ekonomi. Për të konfirmuar angazhimin institucional në këtë proces sipas fushave të veprimit, në këtë mbledhje drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi. Krahas angazhimit, ky dokument përcakton drejtimet e përgjithshme të veprimit dhe treguesit minimalë që do të monitorohen rregullisht nga secili institucion për të vlerësuar ecurinë e procesit.
Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij.