Në kuadër të vizitës në Shqipëri, përfaqësues të Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) zhvilluan sot një takim me Guvernatorin, z. Gent Sejko në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, z. Genci Mamani dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë.
Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.
Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme si dhe nisma më e fundit në drejtim të deeuroizimit të ekonomisë. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i këtyre çështjeve ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e cila ka marrë masa në vazhdimësi, duke përfshirë një sërë përmirësimesh ligjore dhe rregullatore. Këto masa kanë dhënë efektet e tyre graduale dhe të qëndrueshme, të cilat pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt.
Zhvillimi i tregjeve të kapitalit me qëllim zgjerimin e mëtejshëm të sistemit financiar, përputhshmëria me direktivat ndërkombëtare në aspekte të tilla si ai i pastrimit të parave, si dhe fokusimi te edukimi financiar më i gjerë i publikut dhe aktorëve të tjerë, ishin disa çështje të tjera të cilat u pritën me mjaft interes.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it vlerësuan Bankën e Shqipërisë për politikat dhe rolin e saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe kanë stimuluar rritjen ekonomike të vendit.
Më tej, përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve u shprehën se BERZH-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: stabiliteti financiar, agrobiznesi, energjia, etj. Gjithashtu, u diskutua lidhur me disa nga prioritetet e BERZH-it në Shqipëri përfshirë rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, mbështetjen në një frymë të fortë sipërmarrëse në ekonomi, forcimin e lidhjeve rajonale infrastrukturore, promovimin e energjisë së qëndrueshme dhe investime të shëndosha për mjedisin.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si ruajtja e stabilitetit politik dhe vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, mbeten të një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.
Në përfundim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in. Ai e falënderoi BERZH-in për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë për Shqipërinë dhe theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit me të mbetet mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për mbështetjen konkrete me investime financiare, por edhe për sigurinë dhe seriozitetin e projekteve që financon.


