Me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ekipi drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Bosnje-Hercegovinës, zhvilloi një vizitë pune dy ditore në Tiranë.
Kjo ftesë synonte përfitimin nga eksperienca më e fundit që homologët e Bosnje-Hercegovinës kishin patur me një ngjarje sigurimi.
Krahas diskutimit të këtij rasti konkret u shkëmbyen informacione në drejtim të përgatitjeve për adresimin në kohë dhe saktë të sfidave të një ngjarje sigurimi, duke marrë në konsideratë strukturat e ngjashme operacionale të të dy autoriteteve si dhe mjedisin pothuajse të njëjtë financiar.
Gjatë dy ditëve të vizitës u organizuan takime dhe panele me prezantime, të cilat kishin në fokus organizimin e punës së sektorëve të dy Agjencive.
Në kuadër të Marrëveshjes Shumëpalëshe të Bashkëpunimit të nënshkruar në muajin mars të këtij viti midis Autoriteteve të Sigurimit të Depozitave të Ballkanit, drejtuesit e të dy insitucioneve u angazhuan të thellojnë më tej bashkëpunimin dhe veçanërisht në funksion të pjesëmarrjes së ndërsjelltë në situata të mundëshme kompensimi.