Z. Toni Gogu, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori pjesë në Takimin Vjetor të Forumit Evropian për Sigurimin e Depozitave, në të cilin ASD është Anëtar me të Drejta të Plota prej vitit 2003. Takimi u zhvillua në Romë më 20 shtator 2013.
Ky Takim kishte një rëndësi të veçantë sepse u diskutua Direktiva e Komisionit Europian për Rimarrjen e Aseteve dhe Zgjidhjen e Bankave (Bank Recovery and Resolution Directive).
Kjo Direktivë ka për qëllim të pajisë autoritetet kombëtare financiare me kompetenca dhe instrumente të parandalimit të krizave bankare dhe për të zgjidhur çdo institucion financiar në një mënyrë të rregullt, në rast të dështimit, duke ruajtur në të njëjtën kohë operacionet thelbësore bankare dhe minimizuar ekspozimin e taksapaguesve ndaj humbjeve.
Në Takimin Vjetor u zgjodh e gjithë struktura drejtuese të Forumit Evropian për Sigurimin e Depozitave, duke filluar nga Bordi i Drejtorëve, Kryetari, Zv. Kryetari dhe Kryefinancieri i Forumit.
EFDI (European Forum of Deposit Insurers – Forumi Evropian për Sigurimin e Depozitave) është një shoqatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse, me seli të regjistruar në Belgjikë. Forumi Evropian për Sigurimin e Depozitave u krijua në vitin 2002 me mbështetjen e Komisionit Europian. Qëllimi i EFDI është të kontribuojë në stabilitetin e sistemeve financiare duke promovuar bashkëpunimin europian në fushën e sigurimit të depozitave dhe duke lehtësuar diskutimet dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe informacionit për çështje të interesit reciprok. Aktualisht, Forumi Evropian për Sigurimin e Depozitave numëron 68 Institucione-Anëtare me të Drejta të Plota, dhe 11 Institucione të Asociuara.