Webinari i organizuar nga IADI me temë Paraqitja Unike e Depozituesit: Një mjet thelbësor për kompensimin efektiv të depozituesit.

Publikuar më: 19-10-2022


Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI) organizoi një webinar mbi Paraqitjen Unike të Depozituesit: Një mjet thelbësor për kompensimin efektiv të depozituesit nëpërmjet platformës Webex në datë 13 tetor 2022 dhe prezantoi disa nga praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me këtë tematikë. Në këtë webinar morën pjesë 200 përfaqësues të skemave homologe, të vendeve të ndryshme, anëtare të IADI.

Paraqitja unike e Depozituesit (SCV) luan një rol kritik për të siguruar një proces efektiv të kompensimit dhe përfaqëson një sfidë të madhe për shumë institucione të sigurimit të depozitave, në mbarë globin.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), me ftesë të IADI, mori pjesë si folëse në këtë webinar, krahas De Nederlandsche Bank, Hollandë, si edhe Instituti për mbrojtjen e kursimeve bankare (IPAB), Meksikë. Znj. Blerta Koci, Përgjegjëse e sektorit të Teknologjisë së Informacinit në ASD, prezantoi të detajuar infrastrukturën dhe sistemet IT, që përdoren në ASD për ruajtjen dhe validimin e të dhënave për procesin e SCV.