Takim me bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave

Publikuar më: 21-09-2023


Në kuadër të takimeve periodike që Agjencia organizon me bankat anëtare të skemës të sigurimit të depozitave, në datë 19 shtator 2023 u zhvillua takimi i rradhës, me përfaqësues të të gjithë bankave. Ky takim u krye në funksion të përmbushjes së objektivave dhe iniciativave që Agjencia ka përcaktuar në planin e saj strategjik 2021-2023, për rritjen e gatishmërisë operacionale për përgatitjen dhe kryerjen e procesit të kompensimit si nga Agjencia ashtu edhe nga bankat anëtare.

Në fokus të diskutimeve ishte rritja e gatishmërisë së subjekteve për ngarkimin e shpejtë dhe të saktë të skedarëve për kompensim, në sistemin elektronik të Agjencisë, me qëllim përgatitjen e listë pagesës me të dhënat unike të depozituesve si edhe vlerësimi i këtij procesi nga Agjencia, nëpërmjet organizimit të simulimeve teknike dhe të përgjithshme. Agjencia theksoi se do të vijojë organizimin e simulimeve  teknike me bankat anëtare të skemës, duke synuar një afat më të shkurtër të realizimit të simulimeve teknike, si edhe rritje cilësore të raportimit të skedarëve, në sistemin elektronik të Agjencisë.

Gjithashtu në fokus të këtij takimi ishte edhe përmirësimi i kapaciteteve të teknologjisë së informacionit të Agjencisë, nëpërmjet automatizimit të administrimit të procesit të kompensimit si edhe të raportimeve periodike statistikore.

Në veçanti, gjatë takimit Agjencia theksoi rëndësinë e zbatimit me korrektësi të kërkesave të kuadrit ligjor dhe rregullativ për sigurimin e depozitave lidhur me informimin e depozituesve, si element i rëndësishëm për përballimin e situatave të krizave dhe sidomos për realizimin me sukses të procesit të kompensimit.

Gjithashtu,një tjetër çështje e rëndësishme që u adresua gjatë takimit, ishte informimi i bankave pjesëmarrëse, me rezultatet e projektit strategjik të Agjencisë “Platforma e përmirësimit të cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe depozitave në sistemin bankar”, i cili filloi në vitin 2021. Agjencia vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe kërkoi bashkëpunimin e ngushtë në vijimësi me bankat anëtare të skemës, në funksion të përmirësimit të cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe depozitave.

Në përfundim të takimit, Agjencia falenderoi subjektet anëtare të skemës, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në funksion të forcimit dhe përmirësimit të skemës së sigurimit të depozitave.

image2

Image 1 of 2